24 Shtator, 2023 - 4:55 pm
Komisioni i Pavarur i Mediave u bën thirrje të gjithë mediave që të kenë kujdes me raportimet e lajmeve që ndërlidhen me situatën në veri të vendit, të krijuar pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga persona të panjohur, ku një zyrtar policor ka vdekur dhe një tjetër ka mbetur i lënduar si pasojë e një sulmi pranë urës në fshatin Banjskë.
KPM apelon tek mediat shqiptare dhe serbe të licencuara pranë KPM-së që t’i përmbahen Kodit të Etikës dhe se raportimet të jenë të sakta, të paanshme dhe të bazuara në fakte. Ato nuk duhet të transmetojnë material për të cilin e dinë ose duhet ta dinë së është i pavërtetë ose mashtrues, transmeton klankosova.tv.
”Mediat e kanë për obligim që menjëherë të korrigjojnë çfarëdo informacioni të publikuar që është gjetur të jetë i pasaktë.
Drejtuesit e mediave duhet të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të mbrojtur sigurinë dhe pavarësinë e gazetarëve të tyre nga çfarëdo ndikimi politik ose financiar, përfshirë edhe nga pronarët e mediave.
KPM u bënë thirrje mediave që ta respektojnë të drejtën e privatësisë së individëve. Ata që janë prekur nga tragjedia apo pikëllimi, duhet të trajtohen me ndjeshmëri, respekt dhe maturi, duke respektuar privatësinë e plotë të tyre.
KPM i dërgon ngushëllimet më të të sinqerta familjes së policit të vrarë dhe u uron shërim të shpejtë policëve të plagosur”./KlanKosova/KultPlus.com