Krahas pengesave, gratë kanë sukses në artin dhe kulturën shqiptare

17 Korrik, 2019 - 6:00 pm

Gratë në Kosovë janë lidere në fushën e filmit, shembull, edhepse gjithmonë të paragjykuara për zgjedhjet dhe prioritetet e tyre në jetë.

Madje, edhe komuniteti artistik i cili supozohet të jetë komunitet më i bashkuar në Kosovë dhe më përkrahës si tërësi, ka probleme qenësore në përkrahjen dhe mbështetjen ndaj grave të cilat sot krijojnë dhe janë pjesë e jetës kulturore në vend.

Kjo ishte tema e diskutimit sot në panelin e zhvilluar gjatë festivalit Prishtina International Film Festival, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Europe House, brenda ciklit ‘EU Gender Talks – Sepse ne bëjmë ndryshimin’.

Vjosa Berisha, drejtoreshë e festivalit, tregoi se gratë gjithmonë kanë kontribuuar në artin dhe kulturën e vendit.

“Unë në vitin 2003 e kam themeluar kompaninë e PR-it, gjithmonë në bashkëpunim me Fatosin – bashkëshortin tim i cili e ka kuptuar aftësinë time si lidere dhe më ka përkrahur në zhvillimin e saj. Ai veç ma ka lejuar hapësirën që unë të jem vetvetja. Sot, madje edhe në PriFest, më shumë se 70 % e stafit janë gra të cilave u është dhënë mundësia të jenë pjesë e ngjarjes” tregon Vjosa, shkruan KultPlus.

Flutra Zymi, aktore, tregoi se jeta e artit dhe kulturës në Kosovë ka probleme edhe prej ndasive politike dhe presionit që vjen nga politika.

“Është një komunitet që shpesh funksionon me atë pjesën ‘kush e njeh kënd’, plus ka edhe seksizëm me të cilin duhet të ballafaqohemi. Unë kam dy fëmijë dhe shpesh nuk ka qenë e lehtë të vazhdoj jetën si artiste krahas edhe angazhimeve familjare, por mendoj se një senzibilizim brenda vetë grave në komunitetin artistik në vend do të ishte ndihmesë dhe përparim” tregoi gjatë tryezës diskutuese Flutra.

Zana Hoxha Krasniqi nga FemArt, Rreze Kryeziu Breznica – ligjëruese në Universitetin e Prishtinës dhe artiste të tjera diskutuan në faktin se sa mund të depërtojnë gratë në botën e artit dhe kulturës në Kosovë dhe cilat janë problemet kryesore me të cilat ato ballafaqohen.

Të pranishmit i përshëndeti edhe Reyes Charle – Këshilltare Gjinore në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë. / KultPlus.com

Të ngjajshme