29 Korrik, 2024 - 3:24 pm
Filmi “Krahët e Punëtorëve” i regjisorit Ilir Hasanaj ka rrëmbyer çmimin e filmit më të mirë ndërkombëtar të kategorisë së dokumentarit të metrazhit të shkurtër në edicionin e 27 të festivalit më të rëndësishëm të filmit në Amerikën Latine në Meksikë, Guanajuato International Film Festival.
Juria që ka përzgjedhur filmin fitues, e përbërë nga filmbërësit Laura Baumeister, Miko Revereza dhe Virgile Ratelle në deklaratën e saj është shprehur:
“Për narrativën e krijuar me zgjuarsi, të shoqëruar me kinematografi intuitive dhe goditëse, që u jep zë dhe hedh dritë mbi punëtorët anë e mbanë botës si dhe aksidenteve të punës në trupat e tyre”.
Regjisori Ilir Hasanaj ka falenderuar jurinë për këtë çmim duke theksuar rëndësinë e temës së filmit dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në suksesin e filmit.
“Falenderoj jurinë për ndarjen e këtij çmimi dhe për njohjen e punës tonë dhe të rëndësisë që ka trajtimi i kësaj teme. Një mirënjohje e thellë për ekipin, veçanërisht Enisit dhe Viganit të cilët kanë qenë të durueshëm dhe i kanë besuar idesë së projektit. Për mbështetjen e tyre e falenderoj edhe Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe mbi të gjitha Milazimin, Fatmirin dhe Liridonin për guximin, urtësinë dhe besimin e treguar. Filmi është dedikim për të gjithë punëtorët që vazhdojnë të përjetojnë shtypjen”.
Pas premierës botërore në festivalin e Roterdamit ku filmi kishte fituar Tigrin e Artë, Krahët e Punëtorëve ka vazhduar shfaqjet në festivale të ndryshme botërore dhe premierën kombëtare do ta ketë në festivlin Dokufest, i cili nis prej datës 2-10 gusht në Prizren./express/KultPlus.com