Profesori Krasniqi e kujton Toron si piktor dhe shok të mirë, tregon për bisedën e fundit që patën

31 Mars, 2023 - 2:03 pm

Të enjten vdiq në moshën 56-vjeçare karikaturisti dhe piktori Mentor Ejupi, i njohur si Toro.

Ai la pas vetes familjen dhe një bagazh të madh të veprave të artit pamor që përfshijnë karikaturën, dizajnin grafik, portretin, aktin, artin konceptual, instalacionin dhe abstraksionin.

Një pjesë të madhe të karrierës artistike të tij ai e zhvilloi në Prishtinë, qytetin ku u lind dhe shkollua. Pjesën tjetër të jetës ai e vazhdoi në Hamburg të Gjermanisë ku edhe u bë protagonist i disa ekspozitave personale dhe kolektive.

Në kujtesën kolektive, Toro njihet si artist i cili kaloi nëpër të gjitha këto forma për t’u kompletuar si një artist bashkëkohor, shkruan Klankosova.tv.

Kolegu i tij, profesori i artit Faik Krasniqi e kujton atë se një piktor spiritual dhe shok të mirë.

Në një prononcim për Klankosova.tv, Krasniqi tregon për bisedën e fundit që e ka pasur me tani të ndjerin.

“Toro ka qenë karikaturist, disenjator grafik dhe piktor. Nga fundi i viteve të ’80-ta ai është marrë me pikturë dhe ka jetuar në Gjermani për një kohë të gjatë, ku ka nisur të merret edhe me instilacione”.

“E kam pasur mik dhe koleg sepse gjatë viteve të ’90-ta, ai është marrë edhe me dizajn grafik. Ai ka qenë tip mjaft spiritual, i gjallë dhe me humor tërë kohën. Mbi të gjitha, ai ka qenë një shok i mirë”, tha Krasniqi.

Tutje, ai tregon edhe për gjendjen shëndetësore që Toro e ka pasur para dy muajsh kur ka biseduar me të përmes telefonit.

“Unë e kam ditur që është keq më shëndet sepse fotografinë që e kam postuar në llogarinë time në Facebook është para dy muajsh kur kam folur online me të prej Gjermanisë. Andaj, e publikova atë fotografi kur mora vesh për vdekjen e tij – thash ta lajmëroj opinion”.

“Nga biseda e fundit, në tavolinë kishte disa vizatime poshtë e lartë – tha se nuk po mund të shkojë të punojë në atelie për shkak të problemeve shëndetësore. Gjatë kohës sa kemi biseduar, në shtëpi ka qenë në tavolinë i ulur duke vizatuar diçka”, u shpreh profesori i artit Faik Krasniqi.

Krasniqi tregon se pas asaj bisede është munduar ta kontaktojë sërish pas një muaji, por i njëjti nuk është lajmëruar më.

Edhe pse jetonte në një vend të zhvilluar ku arti ka perspektivë më të madhe, ai asnjëherë nuk mundi t’i harrojë rrugët ku i qiti hapat e parë të karrierës së tij – Prishtinën.Ekspozita “Find Something You Love and Let It Kill You” në Paper Gallery

Andaj, edhe ekspozitën e tij të fundit e ka hapur pikërisht në vendlindje. Në dhjetor të vitit 2022, “Paper Gallery” u bë nikoqire e ekspozitës së tij të titulluar “Find Something You Love and Let It Kill You”.

Në nderim të jetës dhe veprës së piktorit Mentor Ejupi – Toro, komuniteti shqiptar në Hamburg organizon akademi përkujtimore. Tubimi përkujtimor mbahet më 31 mars 2023, në ora 17:00 në atelienë TORO – Kanzlerstraße 6 – 21079 Hamburg/Harburg.

Varrimi bëhet të dielën më datë 2 prill 2023, në orën 13:00 te varrezat e fshatit Sekiraçë në Komunën e Podujevës. Ndërsa e pamja mbahet më datë 03 dhe 04 prill 2023, nga ora 09:00 deri në orën 17:00 në “Grand Hotel” në Prishtinë./klankosova/KultPlus.com

Të ngjajshme