3 Janar, 2021 - 7:29 pm
Në vigjilje të largimit nga detyra të Eliot Engel në Kongresin Amerikan, Vasfije Krasniqi Goodman çmon kontributin e tij për Kosovën, shkruan KultPlus.
Krasniqi Goodman ka shpërndarë një fotografi me Engel, teksa ka thënë se Kosova do të jetë mirënjohëse për kontributin e tij.
“Faleminderit Eliot Engel, Kosova do të jetë përgjithmonë mirënjohëse!”, ka shkruar Vasfije Krasniqi Goodman.
Eliot Engel u largua nga Capitol Hill pas 32 vjetësh në detyrë.
Engel, demokrat, e ka përfaqësuar një pjesë të Bronxit – një lagje e qytetit të New York-ut me një popullsi të madhe dhe politikisht aktive shqiptare etnike – që nga 1989 dhe ishte udhëheqës në Kongres duke u angazhuar të ‘mblidhte’ mbështetje për njohjen e pavarësisë së Kosovës të shpallur në vitin 2008.
Mbështetja e tij e palëkundur për Kosovën gjatë dekadave e ka bërë atë një njeri të famshëm në shtetin e vogël të Ballkanit. Në anën tjetër, dashuria reciproke Kosovë-Engel e ka bërë këtë të fundit një figurë të urryer në Serbinë që ende nuk e pranon Kosovën si shtet dhe lobon kundër njohjes së saj nga bashkësia ndërkombëtare. / KultPlus.com