‘Krenaria ka shumë ngjyra’, zbërthimi i flamurit të krenarisë përmes poezisë dhe artit të trupit

15 Mars, 2025 - 11:47 pm

Flonja Haxhaj

‘Krenaria ka shumë ngjyra’ është video-performanca që u paraqit mbrëmë para publikut në teatrin ‘Oda’ në Prishtinë si një formë e artit të guximshëm, si një reflektim mbi sfidat dhe rezistencën e komunitetit LGBTQ+ në Kosovë, shhkruan KultPlus.

Kjo video-performancë, me regji  të Arlinda Morinës dhe e shkruar nga Uresa Ahmetit vjen në formën e gjashtë poezive të realizuara në performanca trupore e vizuele. Çdo poezi, shoqëruar me perforamancë i jep rëndësi në tërësi, dashurisë, triumfit e rezistencës  duke zbërthyer shumëllojshmërinë e flamurit të krenarisë.

Poezitë e jetësuara nëpërmjet gjuhës së trupit, erdhën tek publiku si një emocion, ato pasqyruan frikën e shtypjes, rezistencës, stereotipeve, turpit, por duke i vënë theksin gjithmonë dashurisë, fuqizimit dhe frymëzimit të  individëve queer për të jetuar në liri dhe krenari.

Regjisorja Arlinda Morina, shprehu mes emocionesh përpara të pranishmëve rëndësinë e këtij projekti, sidomos për të, duke theksuar krenarinë që i përket këtij komuniteti.

“Titulli i kësaj videoje është ‘Krenaria ka shumë ngjyra’, disa më pyetën pse nuk ia vure titullin ‘Dashuria ka shumë ngjyra’, unë ju përgjigja se ndihem krenare kush jam dhe me të gjitha ato që i kam, nuk më vjen më turp me atë se kush jam edhe shtypja n aka bërë që të ndihemi krenarë shpeshherë  dhe kur nuk kemi dashur të ndihemi krenarë, edhe kur nuk kemi dashur t’i marrim të gjitha ato bullizime”, tha Morina, teksa falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen.

Ndërkaq, Uresa Ahmeti, e cila ka shkruar poezitë që u paraqitën në këtë mbrëmje, tha për KultPlus se ky është minimumi i asaj se çka mund të bëjë ajo si artiste për këtë komunitet dhe sfidat e tyre.

“Krenaria ka shumë ngjyra është inspiruar dhe bazuar në atë se çka përfaqëson flamuri për komunitetin LGBTQ+, e që është shumëllojshmëria e përjetimeve, ndjenjave dhe dhimbjes e qëndresës që ky komunitet e ka përjetuar dhe që e simbolizon përgjatë kohërave. Ndihem shume mirë që gjithçka ka shkuar shumë mirë, pjesë e saj kanë qenë persona pjesë e komunitetit, persona të thjeshtë, e që është mënyra më e mirë që të kemi një audiencë që është e shumëllojshme, që t’i marrim mesazhet e kësaj videoje.  Për mua është nevojë e të njëjtën kohë edhe nder e privilegj, sepse artisti duhet t’i reflektojnë kohërat dhe realiteti është se ky komunitet vuan nga një shtypje sistematike dhe për mua të jem pjesë e kësaj rezistence është një nder dhe një forcë shumë e madhe”, tha Ahmeti për KultPlus.

Ju kujtojmë, se ky projekt i cili ka për qëllim jo vetëm të edukonte dhe sensibilizonte publikun mbi të drejtat e njeriut është mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport./KultPlus.com

Të ngjajshme