13 Qershor, 2023 - 4:00 pm
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, mbështeti të hënën propozimin e paraqitur nga disa drejtues të kompanive të inteligjencës artificiale për krijimin e një agjencie ndërkombëtare për mbikëqyrjen e inteligjencës artificiale, sipas modelit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA).
Teknologjia e inteligjencës artificiale që ka aftësinë të krijojë prozë në dukje autentike, ka tërhequr vëmendjen e publikut që kur programi ChatGPT u bë i disponueshëm gjashtë muaj më parë dhe është shndërruar në aplikacionin me rritjen më të shpejtë të të gjitha kohërave. Inteligjenca artificiale është vendosur në epiqendër të shqetësimeve për shkak të aftësive të saj për të krijuar fotografi false dhe keqinformime të tjera.
“Vetë programuesit që kanë e krijuar inteligjencës artificiale po u bien më fort se kushdo këmbanave të alarmit për formën më të fundit që krijon përmbajtje”, u tha zoti Guterres gazetarëve. “Duhet t’i marrim këto paralajmërime seriozisht”.
Zoti Guterres ka njoftuar se deri në fund të këtij viti do të fillojë puna për ngritjen e një entiteti këshillimor të nivelit të lartë që do të shqyrtojë rregullisht propozimet për qeverisjen e inteligjencës artificiale dhe do të ofrojë rekomandime se si mund t’i përshtatet prioriteteve të të drejtave të njeriut, shtetit ligjor dhe të mirës së përgjithshme.
Por, të hënën ai shtoi: “Do të isha në favor të idesë se mund të kishim një agjenci të inteligjencës artificiale… të frymëzuar nga ajo çfarë është sot Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (IAEA)”.
Zoti Guterres tha se një model i tillë mund të “ishte shumë interesant”, por vuri në dukje se atë “mund ta krijojnë vetëm vendet anëtare, dhe jo Sekretariati i Kombeve të Bashkuara”. Me seli në Vjenë, IAEA-ja u krijua në vitin 1957 dhe mbështet përdorimin e sigurtë dhe paqësor të teknologjive bërthamore, ndërkohë që vëzhgon për shkelje të mundshme të Traktatit për Mospërhapjen. Në të marrin pjesë 176 vende anëtare.
Kompania OpenAI, që krijoi programin ChatGPT, tha muajin e kaluar se një entitet si IAEA-ja mund të përcaktonte kufizime për shpërndarjen e një produkti të ri, mund të verifikonte përputhshmërinë me standartet e sigurisë dhe mund të vëzhgonte përdorimin e fuqisë kompjuterike.
Kryeministri britanik Rishi Sunak gjithashtu e ka mbështetur këtë ide dhe ka thënë se dëshiron që Britania të jetë vendi ku do të ketë selinë një agjenci e tillë për sigurinë e inteligjencës artificiale. Këtë vit, Britania pritet të organizojë një takim të nivelit të lartë për koordinimin e veprimit ndërkombëtar ndaj rreziqeve të inteligjencës artificiale.
Zoti Guterres tha se mbështet idenë për një takim të nivelit të lartë në Britani, por tha se duhet të paraprihet nga një “punë serioze”. Ai tha se synon të krijojë në ditët në vazhdim një bord këshillimor, të përbërë nga ekspertë për inteligjencën artificiale dhe shkencëtarët kryesorë nga agjencitë e tjera të OKB-së./VOA / KultPlus.com