Krijimtaria e kompozitorit Lec Kurti, u la në harresë nga diktatura

9 Maj, 2022 - 12:20 pm

Përkujtohet sot kompozitori, diplomati dhe politikani, Lec Kurti krijimtaria e të cilit u la në harresë nga regjimi komunist për shkak të bindjeve politike.

Në ditën e lindjes së tij, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” portretizon kompozitorin Lec Kurti.

Lec Kurti lindi në qytetin e Shkodrës më 9 Maj të vitit 1884. Studioi për kompozicion dhe për diplomaci në Pesaro të Italisë deri në vitet 1916. Do të vazhdonte më tej studimet në fushën e muzikës në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia dhe më pas për Shkenca Politike në Romë. Lec Kurti është marrë me krijimtari muzikore deri në vitin 1916 dhe më pas iu përkushtua tërësisht veprimtarisë diplomatike dhe politike.

Nga viti 1918 deri në vitin 1922, Lec Kurti ishte konsull në Bari. Në karrierën e tij diplomatike nuk do të mungonte edhe detyra e të ngarkuarit me punë në Athinë, të cilën e kreu deri në vitin 1927, ku dhe është dekoruar nga shteti grek, për kontributin e tij në marrëdhëniet mes dy vendeve. Lec Kurti ka qenë edhe nënkryetar i Parlamentit dhe Ministër i Arsimit në kohën e Mbretërisë. Detyra më e lartë diplomatike ishte ajo e përfaqësuesit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë (1927–1936). Pas kësaj do të ishte Konsull në Romë deri në vitin 1939.

Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, Lec Kurti ishte nënkyetar i Ballit Kombëtar dhe disa ditë përpara 29 nëntorit 1944, u largua përfundimisht nga Shqipëria. Për arsye politike, krijimtaria e Lec Kurtit është lënë tërësisht në harresë deri në ditët tona. Ndër dorëshkrimet e tij gjendet e para sonatë për piano, e para sonatë për violinë e piano, i pari kuartet harqesh dhe e para operë në historinë e muzikës shqiptare. Deri me sot, Lec Kurti rezulton të ketë kompozuar operën e pare shqiptare, operën “Arbëreshe” shkruar ne vitin 1912. Titullin e saj të parë e ka pasur “Mirashi dhe Marta”.

Krijimtaria e Lec Kurtit përfshin vepra të tjera si ‘‘Trio, për violinë, violonçel dhe piano”, kjo pjesë është shkruar në datën 6 mars të vitit 1914. Përveç këtyre veprave në krijimtarinë e bollshme të Lecit janë edhe “Quartetto”, në sol minor, për harqe, shkruar më 24 prill të vitit 1914. Pak ditë para përfundimit të Luftës Nacionalçlirimtare, Lec Kurti, si edhe shumë të tjerë nacionalistë shqiptarë, mori rrugën e “arratisë” për t´i shpëtuar ndëshkimit të komunistëve të cilët mbas Luftës së Dytë Botërore kishin marrë pushtetin në Shqipëri. Kjo sepse ai kishte mbajtur postin e nënkryetarit të Partisë së Ballit Kombëtar.

Qeveria e Hoxhës kërkonte nga autoritetet italiane kthimin e tyre me çdo kusht prapa, në Shqipëri. Lec Kurti, duke qenë i pari shqiptar anëtar i Akademisë së Shkencave të Mbretërisë së Anglisë, kërkoi të shkonte në Londër për të biseduar me autoritetet e atij vendi për problemin mjaft të mprehtë të moskthimit nga autoritetet italiane të nacionalistëve të arratisur shqiptarë. Atëherë, u vendos që shqiptarët të mos ktheheshin, por edhe të mos qëndronin në Itali. Kështu, të gjithëve iu dha e drejta për të emigruar diku tjetër.

Vdiq në Romë në dhjetor të vitit 1948. Që nga ajo kohë, muzika e tij ka mbetur akoma fare e panjohur për publikun e gjerë, madje edhe për profesionistët./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme