Krijuesi i ‘Game of Thrones‘ padit ChatGPT për shkelje të të drejtave të autorit

22 Shtator, 2023 - 8:00 pm

John Grisham, Jodi Picoult dhe George R.R. Martin janë ndër 17 autorët që paditën “OpenAI” për “vjedhje sistematike në një shkallë masive”.

Në dokumentet e paraqitura të martën në gjykatën federale në Nju Jork, autorët pretenduan “shkelje flagrante dhe të dëmshme të të drejtave të autorit të regjistruara të paditësve” dhe e quajtën programin ChatGPT një “ndërmarrje masive tregtare” që mbështetet në “vjedhjet sistematike në një shkallë masive”, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.

Padia citon kërkime specifike të ChatGPT për secilin autor, të tillë si ai për Martin që pretendon se programi gjeneroi “një përmbledhje shkelëse, të paautorizuar dhe të detajuar për një prequel” të “A Game of Thrones” që titullohej “A Dawn of Direwolves” dhe përdori “të njëjtat personazhe nga librat ekzistues të Martinit në serinë “A Song of Ice and Fire”.

Në një deklaratë të mërkurën, një zëdhënës i OpenAI tha se kompania respekton “të drejtat e shkrimtarëve dhe autorëve dhe beson se ata duhet të përfitojnë nga teknologjia AI”.

“Ne po bëjmë biseda produktive me shumë krijues në mbarë botën, duke përfshirë Shoqatën e Autorëve, dhe kemi punuar në bashkëpunim për të kuptuar dhe diskutuar shqetësimet e tyre rreth AI”, thuhet në deklaratë.

Në fillim të këtij muaji, një grup i vogël i autorëve që përfshinin Michael Chabon dhe David Henry Hwang paditën OpenAI në San Francisko për “shkelje të qartë të pronës intelektuale”./KultPlus.com

Të ngjajshme