12 Tetor, 2024 - 4:23 pm
Shfaqja e titulluar “Krimi është vetëm i imi” do të vijë në skenë këtë fundjavë në Akademinë e Arteve. Në një komunikim për News24, regjisorja Driada Dervishi dhe dy nga aktorët e kastit, Neritan Liçaj dhe Pjerin Dervishi, ndanë detaje mbi punën e kryer për këtë vepër.
Regjisorja Driada Dervishi e përshkroi shfaqjen si një komedi franceze e përshtatur për shoqërinë tonë. Ajo theksoi se veprimi përfshin një sërë temash që adresojnë problematikat aktuale të shoqërisë, duke përfshirë edhe çështje universale.
“Një komedi franceze e përshtatur më së miri për shoqërinë tonë. Përfshin një sërë temash që i flasin shoqërisë dhe problematikave të kohës, por trajton edhe problematika universale”, u shpreh ajo.
Aktor Neritan Liçaj theksoi se ekipi ka punuar në një periudhë të ngjeshur, duke e përshkruar procesin si intensiv, por shumë interesant. Ai shprehu optimizmin se publikun e Shkodrës do ta presë mirë këtë vepër, që gërsheton humorin dhe sarkazmën.
“Kemi punuar në një kohë të ngjeshur. Ishte një proces intensiv, por shumë interesant dhe i bukur. Kemi sjellë një vepër ku janë të gërshetuara humori dhe sarkazma. Publiku i Shkodrës e ka pritur shumë mirë”, tha ai.
Ndërkaq, aktori Pjerin Dervishi e cilësoi këtë përvojë si një eksperiencë të re dhe intensive me regjisoren, duke shprehur kënaqësinë për atmosferën e shkëlqyer të grupit.
“Është një eksperiencë e re me regjisoren për mua si aktor. Ka qenë një punë mjaft intensive dhe na ka lënë kënaqësi e mbresa të jashtëzakonshme. Kemi pasur një frymë grupi të jashtëzakonshme”, u shpreh Vlashi.
Shfaqja premton të jetë një ngjarje kulturore e rëndësishme për fundjavën dhe një mundësi për publikun që të reflektojë mbi tema të ndryshme përmes artit të skenës.