25 Dhjetor, 2020 - 10:39 am
Krishtlindjet dhe fundviti do të jetë e pazakontë për të gjithë ne për shkak të situatë së krijuar nga pandemia e koronavirusit.
Shumë shtete në botë janë detyrur të marrin masa drastike për të frenuar përhapjen e virusit COVID-19, në një kohë kur këto janë festa që duhet të na bëjnë bashkë.
Pandemia e COVID-19 nuk është e para që ka prekur njerëzimin, pasi më herët ka pasur dhe pandemi të tjera, siç është edhe ajo e gripit spanjoll përgjatë viteve 1918-1920.
Si janë festuar Krishtlindjet pothuajse një shekull më parë, kur nga ajo kohë na vijnë foto nga e përditshmja në kohë pandemie.
Dhe në atë kohë njerëzve iu ndalua që të mblidheshin bashkë apo të puthnin njëri-tjetrin. Më 21 dhjetori 1918 komisioneri lokal i shëndetësisë në Ohajo u bënte apel në gazetën shtetërore njerëzve që të kishin kujdes.
“Këtë vit do të tregoni më shumë dashuri për babanë dhe nënën tuaj, për vëllain, motrën dhe pjesën tjetër të familjes, duke qëndruar në shtëpi në vend që të shkoni t’i vizitoni për Krishtlindje, ose të bëni ahengje dhe mbledhje familjare”, shkroi ai.
Krishtlindje 1918: Në atë kohë, kërcënimi nuk quhej Covid-19, por gripi Spanjoll, dhe në Shtetet e Bashkuara kurba e infektimeve u ul pas valës së dytë. Vetëm në SHBA, kjo pandemi shkaktoi 675 000 viktima, më shumë se dyfishi i atyre të shkaktuara deri më tani nga Covid-19, por në një popullsi shumë më të vogël se ajo aktuale. Ishte një shekull tjetër, një tjetër pandemi, një tjetër fazë historike, megjithatë, midis Krishtlindjeve 2020 dhe 1918 ka pikëtakime të ndryshme.
Një artikull i botuar në faqen e internetit të “Smithsonian” rindërton pamjen historike të kohës. Në vitin 1918, indikacionet shëndetësore nuk i përkisnin qeverisë federale (Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ose CDC në 1946), por komunave individuale. Disa qytete si San Francisko, kishin menaxhuar në mënyrë efektive valën e parë, duke bërë të detyrueshme maskat dhe distancimin dhe duke vendosur një bllokim në mes të tetorit 1918. Masat kishin funksionuar, por rihapja në fund të nëntorit, kishte ndodhur shumë shpejt. Në mes të dhjetorit, rastet ishin në rritje përsëri dhe qytetarët tani ishin intolerantë ndaj kufizimeve të reja.
Jo maskë. Pati lëvizje për mosmbajtjen e maskës “Jo maskë!”. Disa e përshkruanin detyrimin për të mbajtur maskë si shkelje të të drejtave të tyre, të tjerët, duke mos i mbajtur ato, përmendën arsyet fetare. Disa u ankuan për zjerjen e tyre 10 minuta në ditë për efekt sterilizimi.
Egoizmi i lidhur me maskat nuk ishte i vetmi fakt që mund të dukej i njohur. Në Milwaukee, qyteti i shumë emigrantëve katolikë nga Evropa Veriore, mbylli kishat nga frika e infektimit gjatë periudhës në prag të Krishtlindjes. Për këtë arsye, kishte nga ata që ankoheshin për pezullimin e festimeve dhe sallonet e bukurisë të hapura. Edhe në vitin 1918, para krijimit dyqaneve të mëdha të konsumizmit, Amazon dhe Black Friday, Krishtlindja ishte koha për blerje dhe dhurata. Nga frika e vonesave në zinxhirin e furnizimit, tregtarët kishin ftuar klientët të blinin paraprakisht. Për ata që nuk dilnin nga shtëpitë e tyre nga frika e infektimit, tregtarët garantonin shpërndarjen në shtëpi.
Besimi te institucionet. Ndryshe nga sot, masat antiinfektim nuk u politizuan. Kishte një familjaritet më të madh mes popullatës me epidemitë. Shumë kishin humbur një fëmijë nga difteria ose kishin parë dikë të paralizuar nga poliomieliti. Njerëzit ishin më të gatshëm për një kufizim të caktuar të lirive personale në mënyrë që të përballeshin me një “armik të padukshëm”, dhe më të prirur për t’u dhënë besim autoriteteve. Shefat e departamenteve të shëndetit publik shpesh kishin kompetenca policore dhe mund të organizonin karantinë për një person ose për një rreth të tërë. Askush nuk do të kishte guxuar të kontestonte autoritetin e tij dhe kishte një besim më të madh në shkencë, pavarësisht nga njohuritë për viruse dhe vaksina.
Edhe atëherë pyetej se si do të ishin festat në atë situatë të jashtëzakonshme; por nuk kishte shumë shqetësim për këtë, edhe sepse mbledhjet familjare nuk ishin kaq të rralla sa sot. Në shumë raste, disa breza jetuan nën të njëjtën çati.
Fundi i Luftës së Madhe. Nevoja për të përqafuar njëri-tjetrin u bë edhe më urgjente nga fundi zyrtar i Luftës së Madhe në nëntor 1918. Por, në përgjithësi, euforia dhe mirënjohja mbizotëroi mbi zhgënjimin për takimet e shtyra. Në më pak se një vit, 100 000 burra kishin humbur jetën në konfliktin botëror, shumë edhe për shkak të gripit: ekzistonte vetëdija se i kishin mbijetuar diçkaje të tmerrshme, në një vit që me siguri do të kishte hyrë në histori. /dp/ KultPlus.com