23 Dhjetor, 2022 - 11:50 am
Shteti i Nju Jorkut , së bashku me Xhorxhian, Kentakin, Misurin, Marylandin, Karolinën e Veriut dhe Oklahomën, kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në pritje të stuhive të paprecedentë të dimrit që media amerikane i ka quajtur tashmë një ”bombë ciklonike”.
Temperaturat e ngrirjes priten të arrijnë (minus 20 gradë Celsius) në disa zona malore të Wyoming.
Mbi 2 000 fluturime tashmë janë anuluar duke rritur shqetësimin mes miliona amerikanëve që udhëtojnë për festat e Krishtlindjeve.
Erërat e forta, reshjet e shumta të borës dhe i ftohti do të sjellin temperatura të ngrirjes gjatë Krishtlindjeve për miliona njerëz, ndoshta temperaturat më të ftohta në 40 vitet e fundit, duke shkaktuar shumë shqetësime.
Meteorologët kanë folur për një ngjarje klimatike që ndodh një herë në një gjeneratë.
Më shumë se 90 milionë amerikanë në 37 shtete janë nën paralajmërimet e motit dhe rreth 80 për qind e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të përjetojnë temperatura nën zero, madje edhe në jug.
“Stuhitë e dimrit dhe i ftohti që priten në SHBA janë të rrezikshme”, tha dje presidenti amerikan Joe Biden, i cili u bëri thirrje të gjithëve të ndjekin këshillat. /atsh /KultPlus.com