10 Mars, 2021 - 12:42 pm
Tensione ka pasur të martën në Akademinë e Shkencave të Serbisë për shkak se serbë nga Kosova kanë kërkuar dorëheqjen e kryeakademikut serb, Vladimir Kostiq, pasi ky kishte deklaruar kohë më parë se “Kosova s’është e Serbisë”. Kostiq ka refuzuar dorëheqjen, teksa Akademia ka mbrojtur qëndrimet e tij.
Siç shkruan “danas”, një delegacion me serbë nga Kosova kishte shkuar drejt Akademisë së Shkencave në Serbi duke i kërkuar Kostiqit largimin për arsye morale dhe që të shprehet publikisht se “Kosova është pjesë e Serbisë”. Sipas tyre, Kostiqi, si president i Akademisë, s’mund të shprehë “qëndrime personale antikushtetuese në publik”.
Sipas mediave serbe, një grup qytetarësh nga Kosova kishin dërguar te Kostiqi fotografi të “serbëve të zhdukur”, duke përfshirë edhe fotografi të qytetarëve me mbiemrin e Kostiqit. Si përfaqësues i këtyre serbëve, Ranko Dinoviq nga Gjakova ka deklaruar se do të organizojnë protesta para Akademisë sapo që të kalojë pandemia. Ai ka kërkuar nga Kostiqi që të kërkojë falje dhe të tërhiqet nga deklarimi i tij.
Siç përshkruhet, takimi mes serbëve të Kosovës dhe Kostiqit në Akademinë serbe kishte zgjatur për më shumë se një orë e gjysmë, me dyer të mbyllura, e shpeshherë me “tone të ngritura” dhe akuza kundrejt Kostiqit.
Kostiq është shprehur se ishte takim i rëndë dhe se “i kupton tragjeditë që kanë përjetuar serbët”.
“Së fundmi është krijuar një atmosferë që Akademia është bërë paradigmë për zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe do të ishte e pamjaftueshme ndryshimi i kryetarit të Akademisë, gjë që po e kërkojnë disa akademikë, dhe atëherë gjithçka do të normalizohej. Kjo s’do të ndodhë. Akademia nuk e krijoi problemin, as nuk mori pjesë në bërjen e këtyre tragjedive”, ka thënë ai pas takimit teksa ka shtuar se Akademia s’është vendi ku zgjidhet çështja e Kosovës.
Në mbrojtje të Kostiqit ka dalë edhe Akademia. Pas sulmeve nga publiku dhe mediat, Bordi Ekzekutiv i Akademisë ka thënë se “është e drejtë e secilit të shprehë mendimin e tij personal”.
Kostiq kohë më parë kishte thënë se “Kosova nuk është më as de facto e as de jure në duart tona”. Reagime të ashpra kishte pasur ndaj tij, me shumë akademikë që i kërkuan dorëheqjen. / KultPlus.com