13 Shtator, 2023 - 12:14 pm
Infrastruktura sportive në Kosovë do t’ia shohë hairin organizimit të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.
Kjo pasi objektet sportive që do të ndërtohen për ta pritur këtë garë prestigjioze, më pas do t’iu mbesin në pronësi sportistëve, klubeve dhe Federatave sportive.
E kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e ka premtuar sot ndërtimin e një stadiumi nacional për organizimin e Lojërave Mesdhetare, të cilat vendi ynë do t’i organizojë pas shtatë vjetësh, shkruan “Gazeta Express”.
Kurti ditë më parë theksoi se Qeveria i ka ndarë 250 milionë euro për organizimin e Lojërave Mesdhetare, ndërsa pjesë e tyre do të jetë edhe ndërtimi i stadiumit nacional, i shumëpërfolur tashmë në vendin tonë.
Për momentin, vendi ynë e ka vetëm një stadium që i plotëson kriteret e UEFA-s dhe të FIFA-s dhe ai është “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Ky është një moment historik për ta dëshmuar potencialin tonë që të bëjmë punë të mëdha. Numri total i objekteve sportive në projektiv fillestar është 24. Djjetë objekte sportive do të rinovohen, përfshirë Pallatin e Rinisë dhe Sporteve. Do të jenë katër ndërtime, përfshin stadiumin nacional, kompleksin e pishinave dhe tenisit, poligonin e shenjëtarisë. Pesë investime infrastrukturore të përkohshme dhe pesë projekte të tjera që janë në ndërtim apo përfundim, përfshirë stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe stadiumin në Gjilan”, theksoi sot kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Lokacioni i stadiumit nacional ishte zhvendosur disa herë, herë në Bërnicë e herë në Drenas, ndërsa zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani theksoi se për lokacionin e stadiumit nacional do të dihet pas studimit të fizibilitetit. /Gazeta Express/ KultPlus.com