Kryeministri Hoti e ministrja Dumoshi bënë homazhe për Ismet Pejën

23 Nëntor, 2020 - 2:34 pm

Në nderim të figurës së këngëtarit të njohur Ismet Peja, Kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, kanë bërë homazhe, për artistin e këngës, përpara objektit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku është vendosur fotografia e këngëtarit të ndjerë.

Kryeministri Hoti dhe ministrja Dumoshi janë nënshkruar në librin e kujtimeve duke e vlerësuar lart jetën dhe veprën e Ismet Pejës, i cili u nda sot nga jeta në moshë 83 vjeç.

Kryeministri Hoti tha se bashkë me ministren Dumoshi bënë nderime për ikonën e muzikës popullore gjithëshqiptare, Ismet Peja. “Ismet Peja do të mbahet mend për këngët e tij të cilat nuk ka shqiptar që nuk i di, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet shqiptare. Ai ka hyrë në historinë artistike të Kosovës, sepse ne të gjithë jemi rritur me këngët e tij”.

Kryeministri tha se sot është një ditë e dhimbshme për familjen e tij dhe tërë komunitetin artistik shqiptar. “Ne do ta kujtojmë gjithmonë”, u shpreh kryeministri.

Ndërsa ministrja Vlora Dumoshi, ka thënë se lajmi i mëngjesit për vdekjen e Ismet Pejës, ishte i trishtë sepse u nda nga kjo jetë doajeni i muzikës popullore. “Unë si ministre kam kontaktuar me familjen e tij dhe ne si ministri do të përkujdesemi për ceremoninë në Gjakovë. Në orën 14:30 do të jenë homazhet dhe në ora 15:00 varrimi”, sqaroi ministrja.

“Ndonëse kohë pandemie, ne po tregojmë respektin institucional për artistin e madh e cili ka dhënë shumë për kultivimin e këngës së mirëfilltë popullore”, tha ministrja. / KultPlus.com

Të ngjajshme