4 Mars, 2023 - 11:30 am
Kryeministri i Rumanisë ka prezantuar këshilltarin e tij më të ri, një asistent robot i quajtir Ion. Sipas Nicolae Ciuca, ky është rasti i parë në botë kur inteligjenca artificiale merr një post të tillë, edhe pse honorifik.
Roboti është ndërtuar në Rumani dhe detyra kryesore e tij do të jetë skanimi i rrjeteve sociale për të informuar qeverinë “në kohë reale” për “propozimet dhe dëshirat e rumunëve”.
“Përshëndetje, ju më dhatë jetë dhe roli im është t’iu përfaqësoj, si një pasqyrë”, thotë Ion përmes një zëri të qetë. “Çfarë duhet të di për Rumaninë?”.
Sipas dokumenteve që u publikuan në ditën e prezantimit, roboti do të përdorë inteligjencën artificiale për të kapur mendimet e shoqërisë, duke përdorur të dhëna publike, në rrjete sociale. Por njerëzit do të kenë mundësi edhe të komunikojnë direkt me Ionin, përmes një faqeje interneti të ngritur për këtë qëllim.
“Jam i bindur se përdorimi i inteligjencës artificiale nuk duhet të jetë një mundësi, por detyrim, për të marrë vendime bazuar në informacion më të mirë”, tha Ciuca.
Rumania është një prej shteteve më të varfra të Bashkimit Europian, por ka ndërmarrë vitet e fundit nisma për zhvillimin e kompanive të reja, sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit./A2CNN