Kryeministri Kurti: 200 milionë euro për infrastrukturën e futbollit, do të ketë transformim rrënjësor

21 Prill, 2024 - 1:23 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nga Qeveria janë ndarë rreth 200 milion euro për sportin e futbollit, buxhet ky i cili sipas tij do të transformojë rrënjësisht infrastrukturën e këtij sporti në vend.

Kryeministri Kurti ka thënë së me këtë vëllim, buxhet e seriozitet nuk është trajtuar asnjëherë futbolli.

Kreu i Qeverisë numëroi edhe punët e projektet që do të kryhen me këto para.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në facebook:

200 milionë euro për transformim rrënjësor të infrastrukturës së futbollit.

Jemi të vendosur, stadiumet po bëhen. Me këtë vëllim, buxhet e seriozitet nuk është trajtuar asnjëherë futbolli.

Kemi nisur rindërtimin e tërësishëm të fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Punimet vazhdojnë në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Për përfundimin e punimeve në stadiumin e qytetit të Gjakovës kemi zotuar nëntë milionë euro. Po hartohen projektet për renovimin e stadiumit të Pejës dhe ndërtimin e stadiumit të ri të Ferizajit. Për stadiumin e Gjilanit po zhvillohen procedurat e prokurimit për zbatimin e punimeve, ndërsa shumë shpejt nisim procedurat për fazën e fundit të punimeve në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren.

Punimet janë duke vazhduar edhe në stadiumet e Malishevës e Shtimes, si dhe në fushat ndihmëse në Bërnicë, Gjilan, Raushiq, Studençan, Komoran dhe Kllokot.

Janë shpallur procedurat për hartim të projekteve për stadiumet e reja të Suharekës dhe Rahovecit.

Pjesë e planit tonë pesë-vjeçar është edhe renovimi i stadiumeve në Vushtrri, Kamenicë, Mitrovicë (Riza Lushta), Podujevë dhe Drenas.

Vlera totale e investimeve tona në infrastrukturën e futbollit është afër 200 milionë euro. Gjatë këtij viti nisim procedurat për stadiumin nacional të Kosovës.

Plani ynë pesë vjeçar për infrastrukturën e futbollit është dakordim mes qeverisë, komunave dhe Federatës së Futbollit. I njëjti i është prezantuar edhe FIFA-s dhe UEFA-së dhe mbështetet nga ta./KultPlus.com

Të ngjajshme