16 Prill, 2024 - 8:18 pm
Kryeministri i Kosovës ka reaguar pasi Asambleja Parlamentare i tha ‘Po’ Kosovës, duke thënë se jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
“Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses”, tha Kurti duke shtuar, se megjithatë, puna do të vazhdojë.
Kryeministri tha se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.
“E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut. Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve”, ka thënë kryeministri Kurti.