20 Gusht, 2024 - 2:28 pm
Mbrëmë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Konventës Kombëtare Demokratike, e cila do të zgjasë deri më 22 gusht.
Para fillimit të saj u mbajt dhe pritja me mysafirët ndërkombëtarë, e ku kryeministri u takua e bashkëbisedoi me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lord George Robertson, ish-ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde dhe presidenten e NDI, Tamara Wittes, ndër të tjerë.
Gjatë punimeve të Konventës Kombëtare Demokratike të natës së parë, folës kryesor ishin edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, Zonja e Parë, Jill Biden, ish-Sekretarja e Shtetit dhe ish-kandidatja e Partisë Demokrate për presidente, Hillary Clinton, si dhe kongresistja e New York-ut, Alexandria Ocasio-Cortez.
Para fjalës së presidentit Biden, edhe zëvendëspresidentja e ShBA-ve, e cila pritet të nominohet si kandidatja e demokratëve në zgjedhjet e ardhshme, Kamala Harris, mbajti fjalë të shkurtër përshëndetëse.