13 Prill, 2024 - 5:56 pm
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar 25-vjetorin e Masakrës së Studenicës, ku tha se katër nëna e katër vajza të mitura nga 12 deri në 15 vjeç, njësitë paraushtarake serbe i vranë përnjëherë.
Kryeministri Kurti tha se njësite paraushtarake dhe policore të mbështetura edhe nga trupa ushtarake të Serbisë kryen masakër duke i vrarë nëntë anëtarë të familjes Lipaj.
Më poshtë gjendet shkrimi i plotë i kryeministrit Kurti në facebook:
Katër nëna e katër vajza të mitura (nga 12 deri në 15 vjeç) i vranë përnjëherë.
Më 13 prill 1999, në fshatin Studenicë të Istogut, njësite paraushtarake dhe policore të mbështetura edhe nga trupa ushtarake të Serbisë, kryen masakër duke i vrarë 9 anëtarë të familjes Lipaj. Në 25 vjetorin e kësaj masakre, bashkë me Vasfije Krasniqin, shkuam në Studenicë të Istogut për t’iu bashkuar familjarëve të viktimave në përkujtimin e kësaj masakre, për të bërë homazhe dhe për tu zotuar për drejtësi nga vendi ku është kryer ky krim.
Në pranverën e vitit 1999, mijëra banorë të fshatrave të Podgurit u strehuan në fshatin Studenicë, meqë aty ishte edhe shtabi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Adrian Krasniqi”. Më 11 dhe 12 prill 1999, banorë të Vrellës dhe të Studenicës u strehuan në lagjen e Cakutajve në fshatin Kaliqan, mes tyre edhe 50 anëtarë të familjes Lipaj që deri në mbrëmjen e 12 prillit kishin qenë të strehuar në familjen e Sali Sokol Zeqirajt në Studenicë. Mbrëmjen e 12 prillit, mijëra banorë të zonës kalonin nëpër Kaliqan dhe shumica vazhdonin bjeshkëve me borë drejt Rozhajës.
Mëngjesin e 13 prillit 1999, baci Sali që ishte 86 vjeçar, bashkë me Sale Lipajn (64) dhe Hajrije Lipajn (62) si dhe me katër vajzat Qëndresa, Mirdona, Njomëza dhe Lindihana, u kthyen në shtëpi në Studenicë për të marrë bukë, rroba dhe barna. Aty u bashkuan me nënën e Lindihanës, Sabrijen (43) si dhe me Hatmane Mehajn nga fshati Tomoc, një grua e moshuar dhe me probleme shëndetësore.
Me të arritur në shtëpinë e Sali Sokol Zeqirajt, vajzat nisën t’i bëjnë gati rrobat dhe barnat, kurse nënat Sale, Hajrije dhe Sabrije morën punët të gatuajnë bukë dhe t’i pjekin në zjarrë. Por tymi i oxhakut u vërejt nga trupat ushtarake serbe që ishin pozicionuar në Kodër të Banjës, në Tomoc e Pollaqer, e të cilët i njoftuan njësitet policore dhe paraushtarake që ishin pozicionuar në malet e Studenicës, nën Kodër të Madhe, në malin te livadhi i Cakutve dhe te Pishat.
Atë paradite, policë dhe paramilitarë e rrethuan shtëpinë e Sali Zeqirajt, të cilin e vranë bashkë me 9 anëtarë të familjes Lipaj: Nezir Lipaj (1934), Sale Lipaj (1935), Hajrije Lipaj (1937), Fatime Lipaj (1933), Sabrije Lipaj (1956), Qëndresë Lipaj (1984), Mirdonë Lipaj (1986), Lindihanë Lipaj (1986) dhe Njomëz Lipaj (1985). Pasi që i vranë, forcat serbe i morën kufomat dhe i hodhën në pus, kurse mbi to hodhën eksploziv për ta shembur pusin mbi kufoma. Atë ditë, më 13 prill 1999, në Studenicë të Istogut u vranë edhe Sylejman Ramqaj (70), Sadik Ramqaj (72), Ali Belaj (75), Sadri Kuqaj (78), Have Kuqaj (76) dhe Sofe Hysenaj (79).
Deri sot, për këtë masakër e për këto krime nuk ka patur as proces gjyqësor, as aktakuzë dhe as të dënuar. Por ky krim sikur edhe krimet e tjera të kryera gjatë luftës, duhen hetuar duke ndjekur gjurmët e grumbulluar faktet si dhe duke marrë dëshmi nga dëshmitarët, për të ngritur aktakuza ndaj kryerësve dhe urdhërdhënësve. Republika e Kosovës me institucionet e saj, është e vendosur në adresimin para drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare të të gjitha krimeve të të gjitha llojeve të kryera nga shteti i Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës. Ne as nuk harrojmë, as nuk falim!
Lavdi martirëve të vrarë në Studenicë të Istogut mes të gjithë të rënëve në rrugën e popullit të Kosovës drejt lirisë!