Kryeministri Kurti: Ditë historike, nënshkruam Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me shtetet anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA)

22 Janar, 2025 - 10:07 pm

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se në Davos kanë nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me shtetet anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA).

“Ditë historike në Davos – nënshkruam Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me shtetet anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA). Jemi vendi i vetëm në rajon që me shtetet e EFTA-s kemi marrëveshje edhe për tregti të mallrave edhe të shërbimeve”, ka shkruar Kurti.

Tutje, ai tha se ajo paraqet kapitull të ri të forcimit të lidhjeve dhe shkëmbimeve ekonomike ndërmjet republikës sonë dhe Islandës, Lihtenshtajnit, Norvegjisë dhe Zvicrës, mundësi të madhe për prodhuesit dhe kompanitë vendore si dhe shtysë të fuqishme për zhvillimin e hovshëm ekonomik të vendit.

“Falënderoj qeveritë e shteteve anëtare të EFTA-s dhe ministren tonë të Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari për angazhimin e madh e me mirëbesim të plotë deri në arritjen e kësaj marrëveshje, nga e cila jemi të bindur që do të përfitojnë bizneset, industritë dhe qytetarët e vendeve tona”, ka shkruar tutje Kurti.

Të ngjajshme