Kryeministri Kurti e emëron Haxhiun Koordinatore Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore

7 Nëntor, 2023 - 9:04 pm

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka emëruar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si Koordinatore Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri.

Kurti tha se si përgjigje ndaj dhunës, qeveria po e përmirëson edhe kornizën ligjore, teksa shtoi se përpjekjet për ta çrrënjosur dhunën ndaj grave dhe vajzave janë të vazhdueshme

“Për bashkëpunim më të thelluar, me qasje ndër-sektoriale dhe zinxhir institucional të fuqizuar, kemi miratuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave (2022-2026)”.

“Kemi avancuar nëpërmjet definimit të dhunës ndaj grave si vepër penale në Kodin Penal. Po ofrojmë ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe me bazë gjinore, pavarësisht gjendjes socio-ekonomike”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, kreu i qeverisë tha se për t’ua lehtësuar financiarisht përballjen me pasojat e dhunës, është miratuar Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ndërsa për trajtimin e dhunimeve seksuale është lansuar Protokolli Shtetëror

“Për t’ua lehtësuar financiarisht përballjen me pasojat e dhunës, kemi miratuar Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit”.

“Rregulluam bazën ligjore për dënime plotësuese për personat që shpallen fajtorë për dhunë në familje dhe dhunim seksual, dhe prioritizim të hetimeve dhe gjykimeve për këto raste. Kemi rritur financimin e shërbimeve të strehimoreve për mbi 100% për 2023”.

“Përmes miratimit të projektligjit për shërbime sociale dhe familjare, filluam reformë të thellë për Qendrat për Punë Sociale”, shkroi më tej Kurti.

Tutje, Kurti tha se ministria e Drejtësisë ka planifikuar mbi 80 aktivitete në kuadër të fushatës “16 ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, për të cilën tha se do të hapet më 25 nëntor.

“Puna në adresimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk ndalet, vazhdon përditë”, tha ai./KlanKosova/KultPlus.com

Të ngjajshme