Kryeministri Kurti: Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë

2 Maj, 2023 - 1:55 pm

Më 2 maj 1999, civilë shqiptarë të fshatit Studime të Vushtrrisë u morën dhe vranë nga forcat serbe. Brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serb 116 persona civil që ishin në kolonë për tu shpërngulur në drejtim të Shqipërisë. Shumë tjerë ishin plagosur e me mijëra tjerë pas arrestimit nga forcat serbe ishin depërtuar për në Shqipëri.

Sot e asaj dite ende nuk është vënë drejtësi për viktimat.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar këtë ngjarje të rëndë për vendin tonë, duke u shprehur se e kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë.

Postimi i plotë i kryeministrit:

Nё ditёt e para tё muajit maj 1999, forcat serbe dogjën fshatrat e Vushtrrisё dhe dëbuan me dhunë banorët . I urdhëruan tё largohen drejt Shqipёrisё.

Më 2 maj të vitit 1999, në fshatin Studime të Vushtrrisë, forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë. Ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna. Familjes Gërxhaliu ia vranë 36 anëtarë, nga mosha 85 vjeç deri në 5 vjeç.

Në këtë 24 vjetor përkujtojmë martirët e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë.

E kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë.

I bëj thirrje sistemit tonë të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës. Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e lirisë! / KultPlus.com

Të ngjajshme