Kryeministri Kurti: Hapësirat kulturore e sportive po shtohen e rinovohen

25 Mars, 2024 - 4:38 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeverisja e mirë ka ndikim pozitiv edhe në aspektet kulturore e sociale, artistike e sportive të shoqërisë.

Kryeministri Kurti ka thënë se kultura e sporti, ndërlidhen edhe me trashëgiminë e pasur që e kemi si shtet e komb, histori e dëshmi të larmishme, të cilat duhet t’i ruajmë e kultivojmë

Përmes një postimi në facebook, Kryeministri Kurti ka treguar të arriturat në fushën e Kulturës duke thënë se reformat e ndërmarra kanë prekur të drejtën e autorit, anti-dopingun, investimet e huaja në film, punëtorin rinor, licensimin për projekte konservimi dhe sfera të tjera.

Postimi i plotë në facebook:

Qeverisja e mirë ka ndikim pozitiv edhe në aspektet kulturore e sociale, artistike e sportive të shoqërisë. Kultura e sporti, ndërlidhen edhe me trashëgiminë e pasur që e kemi si shtet e komb, histori e dëshmi të larmishme, të cilat duhet t’i ruajmë e kultivojmë.

Shumë ligje e politika të reja me ndikim të matshëm në mirëqenien e artistit dhe sportistit. Reforma jonë ka prekur të drejtën e autorit, anti-dopingun, investimet e huaja në film, punëtorin rinor, licensimin për projekte konservimi dhe sfera të tjera.

Vëmendjen e munguar më herët, e që tash ia kemi dhënë trashëgimisë, e dëshmon trefishimi i buxhetit vjetor për investime në fushën e trashëgimisë kulturore dhe restaurimi i mbi 100 aseteve të trashëgimisë kulturore. Përuruam Lokalitetin Arkeologjik që dëshmon se Prizreni është për tetë shekuj më i lashtë sesa është menduar fillimisht, e për herë të parë po realizojmë shpronësime në lokalitete arkeologjike siç kemi bërë në rastin e Dresnikut dhe Ulpianës. Te kjo e fundit vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim i perandorit Justinian, dëshmi e lidhjes së tij me Dardaninë, dhe dëshmi e identitetit dardan në antikitetin e vonë dhe mesjetë të hershme – pa dyshim një ndër zbulimet më të rëndësishme në arkeologjinë e vendit.

Përkushtimi që kemi pasur për sportin e dëshmon programi 12 milionësh “Kosova, Shtet i Xhudos”; puna dhe investimet aktuale në përmirësimin e infrastrukturës së stadiumeve; organizimi për herë të parë i Kampionatit të Hapur Evropian të Xhudos; dhe aplikimi i suksesshëm për organizimin historik të Lojërave Mesdhetare 2030, që u kumtua në shtator të vitit të kaluar nga Kreta e Greqisë.

Ndamë 15 milionë euro për Stadiumin e Qytetit të Gjilanit. Kanë filluar dhe po vazhdojnë punët në renovimin e Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Kemi ndarë 14.5 milionë euro për rinovimin e tërësishëm të Stadiumit të Qytetit të Pejës “Shahin Haxhiislami”. Kanë filluar punimet për rinovimin dhe zgjerimin e Stadiumit të Qytetit në Shtime. Së shpejti fillon rindërtimi i tërësishëm i fushës së stadiumit të Prishtinës “Fadil Vokrri”. Kamenica do të bëhet me stadium të atletikës, të parin të këtij lloji në vend. Jemi duke e zbatuar planin investiv pesë vjeçar në infrastrukturën e futbollit që përfshin gjithsej 27 stadiume anekënd vendit.

Prishtina mirëpriti Manifestën 14, ngjarjen më të madhe kulturore dhe artistike në vend. Themeluam institucionin e Operës së Kosovës. E ajo solli në skenë “La Traviata” të Verdit, shfaqjen më të madhe operistike të luajtur ndonjëherë te ne.

Kemi buxhetin më të lartë ndonjëherë në kinematografi – 12 milionë euro për prodhim të filmit dhe kinematë. Kemi nënshkruar marrëveshje të bashkëprodhimit kinematografik me disa shtete, si mundësi shtesë financimi për kineastët tanë.

Për të nxitur të rinjtë që të angazhohen e merren sa më shumë me art e sport, kemi filluar programet “Arti në Shkolla” dhe “Sporti në Shkolla”. “Arti në Shkolla” gjatë këtij viti do të zgjerohet në 30 komuna të Kosovës dhe të përfshijë 50 mijë nxënës. Në kuadër të programit “Sporti në Shkolla” po marrin pjesë mbi 13 mijë nxënës brenda vitit. Basketbolli, shahu, xhudoja, skijimi dhe ngjitja në mal (hikingu) tashmë janë bërë pjesë e integruar e kalendarit jashtëkurrikular arsimor.

Hapësirat kulturore e sportive po shtohen e rinovohen. Kultura, arti dhe sporti, po kultivohen e ruhen si pasuri kombëtare. Sepse talentet zhvillohen, por edhe duhen mbështetur përmes qeverisjes së mirë./KultPlus.com

Të ngjajshme