30 Mars, 2025 - 6:55 pm
Me rastin e 26-vjetorit të masakrës në Milloshevë të kryer nga forcat serbe, kryeministri në detyrë Albin Kurti, i shoqëruar nga deputeti Halil Thaçi, bëri homazhe pranë lapidarit të katër anëtarëve të familjes Morina, në oborrin e Shtëpisë së Kulturës, te pllaka përkujtimore e familjes Morina nga fshati Hade.
Në këto homazhe, Kurti tha se sot shënojmë 26-vjetorin e vrasjes së katër anëtarëve të familjes Morina: veprimtarit Fejzullah Morina dhe tre djemve të tij, ushtarit të UÇK-së, Lavdim Morina, si dhe dy fëmijëve, Fidaim Morina dhe Shkëlzen Morina.
Kryeministri Kurti, kujtoi se 13 % e të vrarëve gjatë luftës në Kosovë kanë qenë fëmijë, duke kujtuar të rënët e kësaj masakre, Fidaimin 14 vjeç dhe Shkëlzenin 10 vjeç.
“Pra, pothuajse çdo i shtati i vrarë në luftën e fundit të viteve 1998/1999 ka qenë fëmijë”, theksoi më tej Kurti, njofton Kryeministria.
Për t’i përkujtuar më denjësisht fëmijët e vrarë nëpër gjithë Kosovën, Qeveria e Republikës së Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të ngrisë memorialin qendror në shenjë nderimi dhe kujtimi për të gjithë fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë ashtu që përtej datave të përvjetorëve të rasteve të përveçme dhe përtej vendeve gjithandej Kosovës ku janë vrarë gjithë këta fëmijë, ata të mund të kujtohen denjësisht edhe me një memorial të përbashkët.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për Fejzullah, Lavdim, Fidaim dhe Shkëlzen Morinën, sepse pa gjakun e tyre, e të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit tonë, Kosova nuk do të mund të çlirohej, nuk do të mund të pavarësohej, e sot nuk do ta kishim zhvillimin e demokracinë”, u shpreh Kurti.