Kryeministri Kurti i drejtohet me letër përfaqësueses Kallas për viktimat e 3 dhe 4 shkurtit të veriut të Mitrovicës: Kërkojmë hetim të plotë për të ndjekur penalisht përgjegjësit e krimeve

3 Shkurt, 2025 - 9:15 pm

Në 25-të vjetorin e ngjarjeve tragjike të natës mes 3 dhe 4 shkurtit 2000 në veri të Mitrovicës, Kryeministri Albin Kurti i ka drejtuar një letër përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, znj.Kaja Kallas, duke kërkuar hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës për të identifikuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit e këtyre krimeve.

Kryeministri Kurti ka thënë se drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre është detyrim moral dhe hap i domosdoshëm drejt paqes së qëndrueshme në Republikën e Kosovës dhe në rajon.

Në një sulm të koordinuar nga grupe të armatosura të Serbisë, janë vrarë 10 qytetarë shqiptarë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, dhe u plagosën 25 të tjerë. Kurse janë dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre 1.664 familje shqiptare, rreth 12.000 qytetarë të Mitrovicës.

“Pas një çerek shekulli, disa prej të dëbuarve po kthehen në shtëpitë e tyre. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të sigurojë që të gjithë ata që dëshirojnë, të kthehen në mënyrë të sigurt dhe në shtëpitë e tyre të rindërtuara.

Por shumë ende nuk janë kthyer, ndërsa autorët e këtyre krimeve të rënda nuk janë përballur ende me drejtësinë”, ka thënë Kryeministri Kurti.

Të ngjajshme