Kryeministri Kurti i shkruan telegram ngushëllimi familjes së poetit Abdullah Sidran: Ishte shpirti i Sarajevës, një zë që artikulonte të vërtetat e thella

24 Mars, 2024 - 9:06 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e vdekjes së shkrimtarit Abdullah Sidran, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit.

Kryeministri Kurti ka thënë se puna e autorit Sidran do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm.

Më poshtë gjeni telegramin Kryeministrit drejtuar familjes Sidran:

E dashur familje Sidran,

Me respekt të thellë për personalitetin dhe figurën e Abdullah Sidranit, i prekur dhe i pikëlluar nga largimi i tij, ju drejtohem me fjalët më të sinqerta të ngushëllimit.

Abdullahu juaj i dashur, i nderuar dhe i respektuar ndër breza, la gjurmë të pashlyeshme. Kontributi i tij në kulturën, letërsinë dhe artin boshnjak është i pamatshëm, ndërsa fjalët dhe veprat e tij do të mbeten për të gjithë ne, që patëm privilegjin ta njihnim dhe ta ndiqnim punën e tij.

Z. Sidran ishte më shumë se një artist i talentuar; ai ishte shpirti i Sarajevës, një zë që artikulonte të vërtetat e thella të njerëzimit tonë të përbashkët. Veprat e tij, nga “Sahbaza” te “Lotët e nënave të Srebrenicës”, lanë gjurmë të thella në skenën e artit dhe kulturën e Ballkanit dhe më gjerë.

Biseda jonë e fundit, në të cilën diskutuam politikën, Sarajevën dhe rëndësinë e librave dhe të leximit, do të mbetet në kujtesën time si një dëshmi e përkushtimit të tij të palëkundur ndaj drejtësisë dhe besimit në fuqinë e fjalëve, se ato ndryshojnë botën për mirë. Ishte një bisedë, që konfirmoi admirimin tim për gjenialitetin e tij poetik dhe aftësinë e tij për të ndriçuar skutat e errëta të realitetit tonë përmes vargjeve të tij.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal shpreh ngushëllimet më të thella për ju dhe të gjithë admiruesit e punës së tij. Kujtimi i Abdullah Sidranit do të jetë i gjallë përmes të gjithë juve dhe përmes veprës së tij, e cila do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm.

Pushoftë në paqen e përjetshme./KultPlus.com

Të ngjajshme