17 Shkurt, 2024 - 2:57 pm
Në prani të kryeministrit Albin Kurti, në hapësirën e Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës në Kosovë është bërë pranim-dorëzimi i dokumenteve të para të këtij instituti.
Kryeministri Kurti me këtë rast falënderoi kryetarin e Këshillit Koordinues të Asociacionit të Familjarëve të të zhdukurve të Kosovës, Ahmet Grajçevci, si dhe të drejtorit ekzekutiv Avdi Hetemi, për punën e pakursyer të tyre ndër vite, si dhe për ceremoninë e pranim-dorëzimit të dokumenteve të para në këtë institut.
Kryeministri Kurti foli për angazhimin dhe sakrificën e popullit tonë për liri e pavarësi, sidomos në vitet ’90-ta.
“Ne po angazhohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë gjithë atë çfarë ka ndodhur gjatë luftës së fundit në vendin tonë”, deklaroi Kurti, teksa shtoi më tej se funksionalizimi i këtij instituti është një obligim që po përmbushet ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi./rtk/KultPlus.com