Kryeministri Kurti kujton masakrën ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu: Me breshëri plumbash u vra edhe një fëmijë 18 muajsh

28 Mars, 2024 - 2:25 pm

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar sot përvjetorin e masakrës ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu në Podujevë ku u qëlluan mbi 21 civilë, në mesin e tyre, 7 gra e 12 fëmijë, në mesin e tyre edhe një foshnje 18 muajshe.

Kryeministri është shprehur se ditët sikurse kjo e sotmja, na përkujtojnë se sa i lartë ishte çmimi i lirisë. Se sa e çmuar është jeta në liri.

Gjithashtu Kurti ka njoftuar se i është bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të bëjë më shumë në mënyrë që vrasësit, ekzekutorët dhe urdhërdhënësin e kësaj ekspedite kriminale gjenocidale të përballen me drejtësinë. Që të ketë drejtësi për këto familje.

Ky është postimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Më 28 mars 1999, një ndër njësitet më mizore të Serbisë, “Shkorpionët”, qëlluan mbi 21 civilë shqiptarë në Podujevë. Së pari vranë të moshuarit Hamdi Duriqi dhe Selman Gashi. Pastaj i nxorën nga shtëpia ku po qëndronin, 7 gratë dhe 12 fëmijët e familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu. Pasi i rreshtuan para murit, hapën zjarr me armët AK47. Dy breshëri plumbash që zgjaten një minutë i vranë shtatë gra dhe shtatë fëmijë, përfshirë një foshnjë 18 muajshe.

32 nga plumbat qëlluan mbi trupat e pesë fëmijëve të familjes Bogujevci. Saranda, 13 vjeçare, Fatosi 12 vjeçar, Jehona 11 vjeçare, Liria 8 vjeçare dhe Genci 6 vjeҫ, u mbijetuan 32 plagëve.

Sikurse 25 vite më parë, familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu ishin bashkë edhe sot. Me ta ishim edhe ne. Për ta ndarë dhimbjen dhe krenarinë, që e kemi të përbashkët.

Ditët sikurse kjo e sotmja, na përkujtojnë se sa i lartë ishte çmimi i lirisë. Se sa e ҫmuar është jeta në liri.

Bashkë me Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, Ministrin Ejup Maqedonci, Ministren Arbërie Nagavci, Ministrin Hajrulla Çeku, Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, si dhe zëvendësministra, e deputetë të Kuvendit Republikës së Kosovës, vendosëm lule të bardha për viktimat civile të pambrojtura dhe të pafajshme të vrara më 28 mars 1999.

I bëmë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të bëjë më shumë në mënyrë që vrasësit, ekzekutorët dhe urdhërdhënësin e kësaj ekspedite kriminale gjenocidale të përballen me drejtësinë. Që të ketë drejtësi për këto familje.

Gjaku i tyre nuk humb kurrë. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta! / KultPlus.com

Të ngjajshme