28 Mars, 2022 - 6:26 pm
Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar 23-vjetorin e Masakrës ndaj 16 anëtarëve të familjeve Bogujevci, Duriqi, Llugaliu dhe Selman Gashit në Podujevë si dhe Masakrës afro 150 personave në Izbicë të Skënderajt.
“Në çdo pranverë përkujtimi i mizorive të regjimit serb na e tregon se sa të hapura janë plagët e sa e madhe mbetet dhimbja”, thotë Kurti.
Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e tij të plotë:
7 fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç dhe 7 gra të familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, u pushkatuan 23 vjet më parë në Podujevë nga njësiti rezervë policor serb “Shkorpionët”.
Në këtë masakër humbi 16 anëtarë të familjes e u mbijetoi 16 plumbave Saranda Bogujevci. Ajo sot është Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Rreth 80 kilometra më larg, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe rrethuan mijëra civilë të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth. Nga turma i morën 147 burra dhe djem, të cilët i ekzekutuan në vend.
Të dy masakrat u kryen më 28 mars 1999, katër ditë pas fillimit të intervenimit të NATO-s dhe në 10 vjetorin e Kushtetutës së Serbisë, që vulosi suprimimin e autonomisë së Kosovës.
Në çdo pranverë përkujtimi i mizorive të regjimit serb na e tregon se sa të hapura janë plagët e sa e madhe mbetet dhimbja.
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta. / KultPlus.com