22 Maj, 2021 - 12:27 pm
Sot në 22 vjetorin e Masakrës së Dubravës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se nga sot në oborrin e Burgut të Dubravës, pikërisht tek vendi i pushkatimit do të vendoset një lapidar në kujtim të të burgosurve të vrarë, të plagosur dhe të mbijetuar të kësaj masakre, përcjell KultPlus.
Kurti ndër të tjera ka theksuar se Masakra e Dubravës vazhdon të mbetet një prej episodeve më të tmerrshme të historisë së popullit tonë.
Më poshtë gjeni statusin e plotë të Kurtit.
“Duhej të qëndronim në një rresht në një fushë betoni të futbollit rrethuar me roje. Rreth 100 njerëz ishin në një rresht. Qëndruam aty për dhjetë minuta, derisa ishim renditur të gjithë në një rresht. Pastaj, një burrë u ngjit në njërën nga kullat dhe dha urdhër për gjuajtje. Ne pamë gjithçka. Ishte një gjuajtje e njëtrajtshme njëzetminutëshe nga muret e larta 5 metra. Dhe gjithçka ishte e parapërgatitur. Mbanin në duar armë të llojeve të ndryshme. Gjuanin nga muret. Ranë bomba mbi secilin dhe njerëzit fluturonin. Kaosi ndodhi ndërsa të burgosurit iknin për t’u fshehur në ndërtesat e ndryshme të burgut, bodrumet e tyre ose sistemin e kanalizimeve të burgut.”
Kjo është vetëm një nga dëshmitë e shumta nga Burgu i Dubravës.
Masakra e Dubravës vazhdon të mbetet një prej episodeve më të tmerrshme të historisë sonë. 22 vjet më parë, më 22 maj 1999, forcat serbe për disa ditë ushtruan dhunë fizike dhe psikike mbi të burgosurit, para se t’i ekzekutonin më shumë se 100 prej tyre.
Të mbijetuarit nëpër vite kanë treguar tmerrin që kanë përjetuar në ato ditë, kur të gjithë janë mbledhur në fushë afër pavijonit të fundit dhe kanë kaluar orët të trembur, bashkë me të vdekurit.
Masakra e Dubravës është trajtuar vetëm në procedurën gjyqësore kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, proces ky i cili ka mbetur i papërfunduar.
Sot nuk shihet asnjë gjurmë nga kjo masakër, meqë pavijonet e Burgut të Dubravës kanë qenë ndër të parat që janë rindërtuar menjëherë pas luftës, duke pamundësuar kështu ruajtjen e gjurmëve dhe ngjarjeve që do të na shërbenin për kujtesën kolektive.
Mirëpo nga sot në oborrin e burgut të Dubravës, te vendi i pushkatimit, do të jetë një lapidar në kujtim të të burgosurve të vrarë, të plagosur dhe të mbijetuar të kësaj masakre që shënon një tjetër dëshmi të gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar në pranverën e vitit 1999. / KultPlus.com