27 Janar, 2024 - 11:26 pm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 27 janarin, Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Holokaustit, ditë kjo që i referohet vitit 1945, kur u çlirua kampi i Aushvicit në Poloni, shkruan KultPlus.
Kryeministri Kurti ka publikuar disa fotografi në rrjetin social facebook në të cilat shihet familja hebreje Altarac, e strehuar në Prishtinë 1941-‘42.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurti në facebook:
Data 27 janar është e shenjuar botërisht si Dita Ndërkombëtare në Kujtim të Viktimave të Holokaustit! Ajo i referohet 27 janarit të vitit 1945, kur u çlirua kampi i Aushvicit në Poloni.
Në fotografitë e mëposhtme, shihet familja hebreje Altarac e strehuar në Prishtinë mes dhjetëra hebrenjësh të tjerë në vitet 1941-‘42. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore (1939 – 1945), kur hebrenjët persekutoheshin për t’u eliminuar, duke u gjurmuar dhe mbledhur një për një në tërë Evropën, ndër dyert e hapura për shpëtimin e hebrenjëve, ishin ato të shtëpive të familjeve shqiptare. Megjithëse si zona e Kosovës ashtu edhe e tërë Shqipëria ishin të pushtuara fillimisht nga fashistët dhe pastaj nga nazistët, shumë hebrenjë të ikur si nga Evropa Qendrore ashtu dhe nga Evropa Lindore, por edhe nga brenda për brenda Ballkanit, u strehuan dhe u morën në mbrojtje nga shqiptarët.
Mungesa e çfarëdo tradite të antisemitizmit ndër shqiptarë, traditat e mikpritjes dhe zakoni i zotimit të marrjes së mikut të shtëpisë në besë, si dhe të tjera rrethana sociale dhe kulturore, ishin përcaktuese që si familjet shqiptare ashtu edhe autoritetet e shtetit shqiptar, të refuzojnë të përfshihen në fushatat dhe platformat antisemite të përndjekjes e shfarosjes së hebrenjëve.
Një relike e ruajtur nga Jasha Altarac, një hebre 7 vjeçar i strehuar bashkë me familjen në Prishtinë dhe vende të tjera duke shpëtuar kështu nga Holokausti, është ky mindil i bardhë me simbolin kombëtar shqiptar të shqiponjës në të si dhe me mbishkrimin “Kujtim nga Shqipnia”. Po kaq faqebardhë është historia e shpëtimit të hebrenjëve nga shqiptarët dhe si e tillë duhet kultivuar “Kujtimi nga Shqipnia” dhe shqiptarët në historinë e trishtë të Holokaustit.
Plot 55 vite më vonë, kur Serbia i dëboi rreth 860 mijë shqiptarë përgjatë gjenocidit në Kosovë, në maj të vitit 1999, shteti i Izraelit i priti rreth 200 prej tyre duke i strehuar si refugjatë lufte nga Kosova. Asgjë nuk mund të krahasohet me Holokaustin në histori, andaj ai duhet kujtuar dhe brezat duhen edukuar mbi të. Historia e shpëtimit të hebrenjëve nga shqiptarët, tregon se sa i fuqishëm mund të jetë vullneti i njerëzve për ta ruajtur njerëzoren edhe atëherë kur njerëzimi e arrin pikën e tij më të ulët.
Kujtojmë për t’mos harruar dhe nuk harrojmë për t’mos u përsëritur!/KultPlus.com