Kryeministri Kurti në përvjetorin e masakrës së Mejës: Asnjë vonesë dhe asnjë harresë

27 Prill, 2022 - 12:59 pm

Sot shënohet përvjetori i 23-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill 1999 u vranë 376 persona.

Në përvjetorin e kësaj masakre ka reaguar edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duke u shprehur se nuk duhet të ketë më asnjë vonesë dhe asnjë harresë. Sepse, përndryshe, ne vëmë mbi baza të dyshimta çdo të ardhme.

Ky është shkrimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Në përvjetorin e masakrës së Mejës, në ditën e të zhdukurve me dhunë në Kosovë

Asnjë vonesë dhe asnjë harresë. Sepse, përndryshe, ne vëmë mbi baza të dyshimta çdo të ardhme.

Krimi nuk duhet liberalizuar, as viktima, as i pagjeturi, as i përdhunuari. Sepse, përndryshe, do të relativizohet vetë jeta dhe do të na bëhet e durueshme vrasja, rrëmbimi, përdhunimi.

Andaj raportet edhe marrëveshjet tona kanë dhe duhet të vijojnë të kenë në prioritet temën e të zhdukurve me dhunë. I pagjeturi vendos në shoqërinë tonë dhe në familjarët e tij nga një anë dhimbjen, dhe, nga ana tjetër, shpresën. Do të bëjmë gjithë ç’mundemi për ta kthyer shpresën në besim e në realitet.

Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se ka tema të patejkalueshme. Së pari, njeriu dhe jeta nuk mund të jenë temë negociatash. Së dyti, shpëtimi i ndërgjegjes kryhet vetëm nëse vështrojmë dhe vlerësojmë nga këndi i dhimbjes dhe mungesës – vetëm atëherë mund t’i garantojmë vetes dhe të tjerëve një ekzistencë të emancipuar. Nuk mund të anashkalohet plani njerëzor në asnjë prej marrëveshjeve mes shteteve. Nëse shtetet ekzistojnë, ata janë të themeluara prej njerëzve dhe për hir të njerëzve. Tema e të zhdukurve me dhunë është çështja parimore dhe konkrete. Me këtë natyrë të dyfishtë, ajo është tema më e ngutshme mbi të cilën mund të ndërtohet politika e fqinjësive të mira e të sigurta.

Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se rikthimi i të pagjeturve të mbetur do të jetë akt gjithnjë e më i vështirë. Prandaj kjo çështje ka marrë prioritet në kuadrin e marrëdhënieve dhe bisedimeve me Serbinë. Asnjë vështirësi në zgjidhjen e kësaj çështjeje nuk mund të krahasohet me ankthin dhe dhimbjen e familjeve. Dhe asnjë vështirësi lidhur me këtë temë nuk mund të anashkalohet për hir të realizimit të marrëveshjeve. Marrëveshjet që fshijnë historinë, nuk janë jetëgjata. Fshirja e historisë, revizionizmi i historisë, e bën të mundshme ripërsëritjen, dhe jo vetëm të mundshme, por edhe më të dhunshme. Po u lejua një gjë e tillë, numri i pengjeve të agresioneve prej shteteve shoviniste, të shndërruar në aparate ushtarake dhe paraushtarake, do të rëndojë edhe më shumë shpirtrat e njerëzve. Pengjet mbi shpirtrat nuk do të lejojnë kurrë të lulëzojë paqja.

Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se i pagjeturi nuk është brengë subjektive, por mungesë objektive. Sipas të dhënave që disponojmë në bazë të një pune për më shumë se dy dekada, na mungojnë ende 1617 persona. Pra, ne na mungojnë ende 1617 prej njerëzve tanë, të familjeve e të vendit tonë. Komisioni ynë dhe organizatat po punojnë. Në fillim të rrëmbyerit ishin pothuaj katër herë më shumë. Gjetja e të pagjeturve të mbetur vështirësohet prej vonesës sonë, por edhe më shumë nga fakti se shoqëria e shtetit fqinj nuk është ende e vetëdijshme për peshën e krimit që është kryer shtetërisht në emër dhe nga anëtarë të saj.

Ne jemi po ashtu të vetëdijshëm se, në kuadrin e sotëm, me agresionin e invazionin rus mbi popullin ukrainas dhe krimet e shumta e të përditshme atje, çdo rezultat pozitiv nga ana jonë në kthimin e të pagjeturve, është rritje e pjekurisë dhe ndërgjegjes së organizmave ndërkombëtarë dhe shoqërisë demokratike mbi tmerrin e agresioneve të pajustifikueshme ushtarake, në emër të fuqisë dhe diktatit. Gjetja është edhe kërcënim për të gjithë dhunuesit e kriminelët, sepse ekziston skena për viktimën. Sepse, falë përvojës së Bosnjës dhe Kosovës, kombet e shtetet e sotme demokratike e dinë mirë se agresionet e paprovokuara kryejnë krime të tmerrshme. Ata e dinë mirë se ç’masë krimi pritet të zbulohet ditë pas dite në territorin e Ukrainës.

Ne jemi të vetëdijshëm se dëshmia e saktë nga ana jonë e tmerreve të luftës, e krimeve kundër njerëzimit, e krimeve të luftës dhe krimit të gjenocidit, është paraqitja e një tjetër horizonti, më i shëndetshëm për shoqërinë njerëzore, për paqen pozitive. Në një mori ditësh të vitit ne përkujtojmë viktimat e masakrave. Sot është dita e përkujtimit të masakrës së Mejës, në të cilën u vranë 376 civilë. Ata u rrethuan që të shfaroseshin, si shqiptarë që ishin në tokën e tyre ku jetonin. Duke e nxjerrë në dritë krimin ndaj popullit tonë, ne mund të shtyjmë ndërgjegjen ndërkombëtare të kërkojë pastrimin e ndërgjegjes dhe trupit të shteteve agresorë dhe gjenocidalë. Trupi i territorit të Serbisë ishte dhe ende është përplot me trupa të pajetë të njerëzve tanë, të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer. Shumë janë zbuluar e nxjerrur prej atje. Dhe kështu duhet të vijohet.

Sepse nuk kemi për detyrë vetëm qetësimin dhe ngushëllimin e familjeve, popullit e shtetit e kombit tonë, por edhe shërbimin ndaj shoqërisë njerëzore në tërësi. Dëshmia jonë mund ta ndalë sado pak krimin e mundshëm në treva të tjera të rruzullit tonë.

Me dhembje e mall e pikëllim, sot dhe jo vetëm sot, nderojmë martirët e Mejës e të Kosovës! / KultPlus.com

Të ngjajshme