16 Shtator, 2024 - 10:51 pm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, mbrëmjen e sotme qëndroi për vizitë në Komunën e Suharekës, me rastin e hapjes solemne të përurimit të Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”.
Atje u mirëpritën nga kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj si dhe familjarë të familjes Bytyçi.
E veçanta e këtij përurimi të Shtëpisë së Kulturës, është se po bëhet pikërisht në prag të shënimit të përvjetorit të 22-të të rënies së ish kryetarit të Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçit, dhe vetëm dy muaj pas ditëlindjes së 69-të të tij, transmeton Klankosova.tv.
E ndërtuar në mënyrë që t’i shërbejë komunitetit artistik dhe rinisë, kjo shtëpi është një tregues i angazhimit të madh për të kultivuar prodhimin e kulturës në Republikën e Kosovës, si dhe synimi saj është ofrimi i kushteve sa më të mira infrastrukturore dhe mjedis të përshtatshëm.
“Kjo Shtëpi e Kulturës që do të shërbejë si shtëpi e artit dhe kulturës, do të jetë në dispozicion për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në pasurimin e jetës kulturore dhe shoqërore të Suharekës”, u shpreh Kurti.
Falë investimit dy pjesësh në shumën prej afër 4 milionë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në njërën anë, dhe më bashkëpunimin e Komunës së Suharekës në anën tjetër është arritur që të finalizohen hapësirat e bollshme të Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”, të cilat për të gjithë artdashësit do të ofrojnë mundësi për të akomoduar aktivitetin e institucioneve të kulturës edhe aktivitetet e artistëve dhe organizatave nga skena e pavarur kulturore.
Në lidhje me këtë, kryeministri potencoi se ky është një shembull pozitiv dhe i duhur i bashkëpunimit të institucioneve qendrore dhe atyre lokale për të mirën e qytetarëve.
Në përmbyllje ai i përgëzoi dhe i uroi të gjithë pjesëmarrësit dhe qytetarët e Suharekës, për ndërtesën re, e veçanërisht artistët, krijuesit dhe publikun e artit e të kulturës nga Suhareka dhe më gjerë.
Në këtë ceremoni e pranishme ishte presidentja e vendit, Vjosa Osmani.