Kryeministri Kurti përkujton ish-presidentin Rugova: Figura e tij më ka mbetur në kujtesë në trajtën e njeriut të urtë, paqësor e besnik

21 Janar, 2025 - 2:34 pm

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova, në 19-vjetorin e vdekjes së tij, duke kujtuar takimet e tyre në vitin 1997.

Kurti ka shkruar se prej asaj kohe, figura e tij i ka mbetur në kujtesë në trajtën e imazhit të një njeriu të urtë e paqësor.

“Në fillet e angazhimit tim politik, më 1997, kam patur rastin ta takoj dy herë Presidentin Ibrahim Rugova, prej kur figura e tij më ka mbetur në kujtesë në trajtën e imazhit të një njeriu të urtë, paqësor dhe besnik ndaj rrugës së dialogimit në politikë. Sot janë bërë 19 vite nga 21 janari i vitit 2006, kur Dr. Ibrahim Rugova vdiq në moshën 61 vjeçare, duke lënë pas infrastrukturën e një tradite të madhe politike, institucionale dhe studimore”, ka shkruar Kurti.

Tutje, kryeministri Kurti ka shkruar se Rugova, si kryetar i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që nga themelimi i saj më 1989 dhe më pas si Presidenti i Parë i Kosovës nga viti 1992 e tutje, ka luajtur rol kyç në ndërkombëtarizmin e çështjes së Kosovës në vitet e ’90.

“Konsistenca e tij retorike me kërkesa për liri, pavarësi dhe demokraci për Kosovën, u dëgjua si një mesazh autentik dhe i besueshëm në të gjitha kancelaritë e shteteve të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në historinë moderne të Kosovës, një dekadë e gjysmë (1989-2006) e saj është e lidhur ngushtë me emrin e Presidentit Rugova, periudhë kjo që fillon me rezistencën paqësore të viteve ’90 dhe përfundon me periudhën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së saj më 2008”, ka shkruar kryeministri.

Më tej, Kurti ka shkruar se Dr. Ibrahim Rugova i ka lënë Kosovës një trashëgimi të madhe politike, institucionale dhe letrare e studimore, e cila është mbledhur dhe studiuar, por që edhe më tutje pritet të njihet dhe të studiohet nga politologët, historianët, filozofët dhe kritikët e letërsisë.

Ndër të tjera, ai ka treguar se korpusit të botimeve për Presidentin Rugova, u është shtuar edhe një botim i veçantë për raportimet e shtypit italian dhe gjerman.

“I përgatitur për botim nga studiuesi Bejtullah Destani, ky libër mund të merret si një hyrje e mirë për t’u njohur me profilin politik të Presidentit Rugova, parë nga perspektiva e raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe si një mënyrë për ta kujtuar atë në këtë përvjetor të vdekjes së tij”, ka treguar ai./KultPlus.com

Të ngjajshme