25 Mars, 2024 - 7:57 pm
Kryeministri Albin Kurti, në 25 vjetorin e masakrave ka përkujtuar të rënët e fshatrave të Rahovecit, Prizrenit dhe Gjakovës, të cilët u ekzekutuan nga forcat serbe në vitin 1999.
Kryeministri Kurti tha se pas fillimit të sulmeve ajrore, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë filluan fushatën e tyre të gjerë dhe sistematike për vrasjen dhe dëbimin me dhunë të shqiptarëve të Kosovës.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:
“Kërkoni ndihmë nga NATO tash!”, u kishin thënë policët e Serbisë grupit prej 13 shqiptarëve në Fortesё (ish Bellacёrkё) para se të shtinin mbi ta me armë automatike. Çlirimi, Lumturija, Dhurata, Dardana dhe Dardani nga familja Zhuniqi dhe Xhemajli, Qamilja, Fiqirija, Ilirijana, Marigona, Labinoti e Lirimi nga familja Spahiu mbeten të vrarë. Ekzekutimit i mbijetoi vetëm Shkodran Zhuniqi, 4 vjeҫar.
Më 25 mars 1999, në Fortesë të Rahovecit u vranë 69 shqiptarë, mes tyre 15 fëmijë. Më i vogli ishte 3 vjeç.
Atë ditë në Celinë të Rahovecit, rreth 500 ushtarë të Serbisë hynë në fshat nga katër drejtime. Ata vranë e masakruan 82 persona të moshave të ndryshme. 18 nga trupat i dogjën.
13 nga të vrarët ishin fëmijë: Alma (18 muajshe), Albani (5 vjeҫ), Bledari (8 vjeҫ), Besarti (10 vjeҫ), Altini (10 vjeҫ), Albulena (11 vjeҫe), Suzana (11 vjeҫe), Burbuqja (13 vjeҫe) nga familja Zeqiri, Ramazani (8 vjeҫi), Mejremja (15 vjeҫe) dhe Gëzimi (17 vjeҫ) nga familja Salihu, dhe Bedrush Hasani (15 vjeҫ) e Alban Rexhepi (14 vjeҫ).
Po atë ditë në masakrën në Brestoc të Rahovcit, forcat e armatosura serbe vranë 54 shqiptarë.
25 vite më parë, masakrat mizore të Serbisë mbi popullsinë civile, lanë edhe 46 të vrarë në Tërnje të Suharekës dhe 20 të vrarë në Goden të Gjakovës, kufomat e të cilëve pastaj u dogjën. Në Randobravë të Prizrenit, forcat serbe vranë 8 anëtarë të familjes Pajaziti. Në mesin e tyre ishte një nënë me katër fëmijët e saj, të moshave ndërmjet 7 dhe 2 vjeç.
Një ditë më parë kishte filluar fushata bombarduese nga forcat e NATO-s, me qëllim të ndalonin gjenocidin që po e kryente shteti i Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Pas fillimit të sulmeve ajrore, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë filluan fushatën e tyre të gjerë dhe sistematike për vrasjen dhe dëbimin me dhunë të shqiptarëve të Kosovës.
Bombardimet e NATO-s ndaluan projektin gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve.
Me ndihmën e vendeve aleate të NATO-s e arritëm lirinë e Kosovës, me rrënjët në gjakun e martirëve dhe dëshmorëve.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë që e gëzojmë!/KultPlus.com