7 Nëntor, 2023 - 5:04 pm
Sot u certifikua grupi i parë i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Xhudo në kuadër të programit shtetëror “Kosova, Shtet i Xhudos”.
Në këtë ceremoni morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
“Uroj shumë që kjo përvojë të ju ketë forcuar edhe më shumë, jo për të sulmuar të tjerët por për të qenë mjaftueshëm të aftë të mbroni vetveten dhe të jeni të përgatitur me teknikën, forcën, dhe qëndrueshmërinë përkatëse. Vetëm kësisoj arrijmë të ndërtojmë një Kosovë të sigurt e demokratike, të lirë e të barabartë për të gjithë”, ka thënë Kurti, sipas komunikatës nga Zyra e Kryeministrit.
Agron Kuka, president i Federatës së Xhudos së Kosovës, ka thënë që këta janë vetëm ushtarët e parë të certifikuar, duke e quajtur rastin e sotëm si gjurmë të përhershme.
“Ne si sport i xhudos bëjmë hapa të lehtë, por ngado që shkelim lëmë gjurmë të pashlyera, dhe kjo sot jam i bindur se do të mbetet gjurmë e përhershme”, tha ai duke falënderuar kryeministrin Kurti si përkrahësin kryesor të programit “Kosova, Shtet i Xhudos” dhe ideatorin e këtij programi, ministrin Çeku.
Në anën tjetër, trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka thënë që xhudoja shkon përtej sportit duke shërbyer si shtyllë kryesore e organizimit dhe forcimit të ushtrive në botë, përfshir tash edhe atë të Kosovës.