18 Korrik, 2022 - 9:07 am
Universiteti i Prishtinës ka shkruar mbrëmë historinë, duke u shpallur kampion i botës në hendbollin universitar.
Ekipi nga Kosova mundi Universitetin Kangwon të Koresë së Jugut 33:30, në finalen e Kupës së Botës, të zhvilluar për një javë në Prishtinë.
Finalen nga afër e ndjekën edhe presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, kryeministri Albin Kurti, zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani dhe personalitete tjera të larta nga FISU dhe organizatori, Federata e Sportit Universitar.
Kësaj fitoreje ju gëzua shumë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili bëri një reagim të menjëhershëm në Facebook.
Kurti është shprehur se Kosova po vendoset në hartën e e shteteve që organizojnë ngjarje ndërkombëtare.
Ky është postimi i plotë i kryeministrit:
Një fundjavë me shumë aktivitete sportive ndërkombëtare me nikoqire Republikën e Kosovës.
Sonte ndoqa finalen e meshkujve të Kupës Botërore të Hendbollit Universitar, në të cilën djelmoshat e Kosovës u shpallën kampion. Ndeshja finale u luajt ndërmjet Kosovës dhe Koresë së Jugut. Fituam 33:30! Kënaqësi e veçantë atëherë kur kupën botërore e fiton në shtëpinë tënde. Shumë urime të gjithë sportistëve dhe studentëve të Kosovës!
Pas palestrës 1 tetori në Prishtinë, u ktheva në sheshin “Zahir Pajaziti” në atmosferën fantastike të cilën e ka sjell në kryeqytet aktiviteti ndërkombëtar 3×3 Challenger Prishtina. Në një ndeshje tejet të barabartë, në vazhdime ekipi i Antëerp-it të Belgjikës e mundi 18:17 atë të Friburg-ut të Zvicrës.
Të dyja këto aktivitete janë mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Turizmi sportiv është politikë e veçantë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes së cilës po e vendosim Kosovën në hartën e shteteve që organizojnë ngjarje ndërkombëtare, gjersa iu ofrojmë të rinjëve tonë mundësinë që të ndjekin këto aktivitete nga afër. / KultPlus.com