29 Nëntor, 2023 - 11:12 pm
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e ri të Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, të cilit i shprehu mirëseardhje në Kosovë dhe urimet për pozitën e tij të re.
Në njoftimin për media, thuhet se gjatë takimit, ata biseduan mbi marrëdhëniet e ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë te mërgata e Kosovës në Zvicër si urë lidhëse në fushën e ekonomisë por edhe të kulturës.
Kryeministri Kurti theksoi dhe marrëdhëniet tregtare mes nesh, ku Zvicra është vendi i dytë për nga investimet direkte në Kosovë, si dhe rritjen e eksporteve direkte për 25%.
Ai falënderoi ambasadorin Sprecher për mbështetjen e Zvicrës ndaj Kosovës, para e pas luftës, veçanërisht përmes projekteve të ndryshme të rëndësishme në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ndryshimet klimatike, shëndetësinë, mirëqeverisjen e forcimin e demokracisë, si dhe për rolin dhe kontributin e trupave të Sëisscoy në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë.
Ambasadori Sprecher në takim u shoqërua nga zëvendës ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Christoph Fuchs.