30 Prill, 2024 - 2:24 pm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se nga sot ka hyrë në fuqi programi investiv më i madh e më inovativ i energjisë, që kap shifrën e qindra milionëve.
Ai është shprehur se nga shuma totale prej 236.7 milionë dollarësh, 202 milionë janë grant nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse 34.7 milionë janë bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës.
“Programi Kompakt është rezultat sa edhe dëshmi e partneritetit tonë me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), dhe të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Kurti.
Tutje, ai është shprehur i kënaqur që ka pritur në takim Zëvendëspresidentin në MCC, Cameron Alford, bashkë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
“Shpreha falënderimin tonë për bashkëpunimin e ngushtë dhe për mbështetjen e vazhdueshme nga Qeveria dhe populli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sektorin e energjisë, zhvillimin ekonomik e shoqëror të Kosovës, dhe jo vetëm, ka shkruar Kurti në fund.