Kryeministri Kurti: Qeveria pret angazhim me të madh në ndjekjen e gjykimin e krimeve të luftës

29 Maj, 2022 - 8:24 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria pret angazhim më të madh në ndjekjen e gjykimin e krimeve të luftës.

Ai ka thënë se Kodi i Procedurës Penale i Kosovës mundëson gjykimin në mungesë.

Në një postim në Facebook ai ka shkruar se para tri vjetësh, kërkesa e pashtershme për drejtësi për viktimat, ka sjellë deri te miratimi i një norme të këtillë juridike që mundëson mbarëvajtje të procesit gjyqësor pa praninë e të akuzuarit.

“Qeveria pret angazhim me të madh në ndjekjen e gjykimin e krimeve të luftës. Për këtë, brenda vitit të parë kemi shtuar buxhetin për rritjen e numrit të prokurorëve special dhe bashkëpunëtorëve profesionalë. Po ashtu, po punojmë në krijimin e Institutit që do dokumentojë krimet e kryera gjatë luftës, e po punojmë zellshëm në hartimin e strategjisë për drejtësinë tranzicionale”, ka shkruar ai.

Kurti ka shkruar se krimet e luftës nuk parashkruhen, por ditët e vitet ikin shpejtë. Me këto, ka shtuar ai, ikin edhe ata të cilëve shteti u ka borxh vënien e drejtësisë për familjarë të vrarë e për dhimbjen e papërballueshme e cila po mbetet pa përgjigje.

Ai ka thënë se kriminelët e luftës duhet dënuar dhe për këtë është e nevojshme dhe e domosdoshme përgjegjësia më e lartë institucionale, në radhë të parë e Prokurorisë Speciale e pastaj e tërë sistemit.

“Pesha e përgjegjësisë e organeve të drejtësisë tejkalon atë profesionale dhe imponon veprim efikas. Këtë e kemi borxh”, ka thënë ai./ KultPlus.com

Të ngjajshme