9 Shtator, 2024 - 8:24 pm
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot Drejtoren Artistike të Fondacionit Kulturor Federal të Gjermanisë, Katarzyna Wielga-Skolimowska dhe krijuesin e programeve të zhvillimit në këtë fondacion, Nuno de Brito Rocha, të shoqëruar nga artisti vizual dhe kuratori shqiptar, Erzen Shkololli.
Në një bisedë miqësore diskutuan rreth zhvillimit të artit përmes mbështetjes institucionale dhe për sukseset që artistët nga Kosova kanë shënuar viteve të fundit në arenën ndërkombëtare të artit, shkruan Arbresh.info.
Ndër to, një sukses i veçantë u shënua në edicionin e 60-të të Bienales së Artit të Venedikut, Pavijoni i Kosovës mori Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror.
“Vendi i vetëm nga Evropa që këtë vit fitoi në Bienale, në mesin e 86 pavijoneve shtetërore garuese.”, thuhet në njoftim.
Kryeministri i njoftoi për shtimin e investimeve nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kulturë dhe art dhe mbështetjes instititucionale për trashëgimi kulturore, filharmoni e film, muze e galeri, skenën e pavarur.
Ai vlerësoi punën dhe kontributin e rëndësishëm që secili prej tyre i ka dhënë provimit të kulturës dhe artit përmes projekteve në Gjermani, Poloni, Brazil e gjetiu, dhe bashkë trajtuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore të Republikës së Kosovës dhe Fondacionit Kulturor Federal të Gjermanisë.