Kryeministri Kurti: Tani e gati tetë dekada, bota njerëzore nuk arrin të zhdukë kujtesën e tmerrit dhe as të luftojë mohuesit e holokaustit

27 Janar, 2022 - 9:38 pm

Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar Ditën e Holokaustit, në nderim të miliona hebrejve të vrarë gjatë luftës së dytë botërore.

“Megjithatë, kujtesa jeton përtej mohuesve të cilët janë kudo. Prandaj ne sot kujtojmë. Sot angazhohemi, punojmë, veprojmë e përgatitemi që kjo të mos përsëritet. Në asnjë vend. Në asnjë kohë”, ka shkruar ai.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Në momentin e fundit dënimi ynë me vdekje u ndryshua në burgim të përjetshëm në Auschwitz dhe ne u dorëzuam në dyert e ferrit. Aty do të na merrnin ende në pyetje. Me të mbërritur na zhveshën, goditën, rruan dhe na bënë tatuazhe. Që atëherë, ne nuk kishim emra. Unë tani isha numri 39934 dhe nëna ime ishte numri 39933. – Kitty Hart-Moxon

Kjo është veç një prej dëshmive të panumërta që na ndihmojnë të kujtojmë tmerrin e përjetuar në Auschwitz – Birkenau dhe mijëra kampe tjera përqendrimi. Pikërisht sot 77 vite nga 27 Janari i vitit 1945, kur ky kamp përqendrimi u çlirua. U çlirua prej tragjedisë njerëzore të paimagjinueshme më parë. Por me çlirimin nuk ka ardhur asnjëherë harrimi.

Krahas kujtimit, ky tmerr e kjo dhunë fatkeqësisht nuk mori epilogun e duhur as gjatë Gjykimit të Nürnberg kur Lemkin dhe Lauchterpacht për herë të parë definuan termet “gjenocid” dhe “krime kundër njerëzimit”.

Nuk mori epilogun as përgjatë viteve të tëra të përpjekjeve për të kujtuar. Të aftësisë për të mos harruar.

Të tentimeve për gjetjen dhe dënimet e kriminelëve.

Edhe këto krime kundër njerëzimit përgjatë viteve u përballën me mohimin e pashembullt nga ata që edhe nuk dinin, edhe nuk donin të pranonin realitetin.

Tani e gati tetë dekada, bota njerëzore nuk arrin të zhdukë kujtesën e tmerrit dhe as të luftojë mohuesit e holokaustit.

Megjithatë, kujtesa jeton përtej mohuesve të cilët janë kudo. Prandaj ne sot kujtojmë. Sot angazhohemi, punojmë, veprojmë e përgatitemi që kjo të mos përsëritet. Në asnjë vend. Në asnjë kohë.

KURRË MË! / KultPlus.com

Të ngjajshme