Kryeministri Kurti uron fillimin e vitit shkollor: Me përkushtim do të realizojnë misionin për një arsim cilësor

1 Shtator, 2023 - 3:46 pm

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar fillimin e vetit shkollorë për të gjithë nxënësit e në veçanti për ata që ulen për herë të parë në bankat shkollore.

Kryeministri është shprehur se sot për këtë fëmijë fillon një rrugëtim i ri, i cili do të përcaktojë të ardhmen e tyre por edhe të shtetit të Kosovës.

Tutje Kurti është shprehur se me punë e përkushtim do të realizojnë misionin për një arsim cilësor, që edukon, shkollon dhe përgatit për përmbushjen e ëndrrave, synimeve dhe potencialit të rinisë sonë.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Të dashur nxënës, mësimdhënës e prindër, urime fillimin e vitit të ri shkollor.

Në veçanti, uroj të gjithë nxënësit që për herë të parë ulen në bankat shkollore. Për ta sot fillon një rrugëtim i ri, i cili do të përcaktojë të ardhmen e tyre por edhe të shtetit të Kosovës.

Për të përmbushur obligimin tonë për të siguruar tekstet shkollore, këtë vit kemi zgjedhur një rrugë të re. Po ashtu, si asnjë vit më parë, përveç teksteve shkollore po ndajmë edhe mjete shtesë për materiale shkollore të nevojshme për nxënësit tanë.

Arsimi dual për këtë vit shkollor po zgjerohet në gjithsej 12 profile të ndryshme, në 21 shkolla profesionale dhe 13 komuna, duke ndërtuar kështu urën ndërmjet arsimit dhe ekonomisë, diplomës së shkollës dhe vendit të punës.

Ndërkohë që kemi miratuar Ligjin për Edukim në Fëmijërinë e Hershme, kemi finalizuar kurrikulën për edukim në fëmijërinë e hershme dhe jemi duke investuar në rritjen e përfshirjes së fëmijëve në këtë nivel të edukimit.

Me punë e përkushtim do të realizojmë misionin tonë për një arsim cilësor, që edukon, shkollon dhe përgatit për përmbushjen e ëndrrave, synimeve dhe potencialit të rinisë sonë.

Ju qoftë një vit i mbarë e i suksesshëm! / KultPlus.com

Të ngjajshme