Kryeministri Kurti uron Xhaferin: Do të vazhdojmë rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar

28 Janar, 2024 - 8:40 pm

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përgëzuar Talat Xhaferin pas votimit si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

“Dëshiroj t’i uroj suksese për detyrën e tij të re, atë të kryeministrit në qeverinë teknike e cila pas tre muajsh do ta çojë në zgjedhje vendin tonë fqinj e partner. Miqësia dhe bashkërendimi për projekte të përbashkëta uroj të jenë shenjues të dy qeverive tona gjatë qeverisjes Xhaferi”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka thënë se Kosova dëshiron një Maqedoni Veriore me orientim të fuqishëm euroatlantik, partnere e Prishtinës dhe e perëndimit dhe sa më larg Moskës, duke promovuar kështu vlerat e bashkëjetesës dhe luftimin e diskriminimit etnik.

“Për këto synime e për plot bashkëpunime të tjera, jam i sigurt se do të vazhdojmë rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar edhe me homologun Xhaferi, ashtu siç ka ndodhur edhe me paraardhësin e tij, Kovaçevski, të cilin e përgëzoj për vlerat që reflektoi gjatë drejtimit të tij”, ka përfunduar Kurti./rtv21/KultPlus.com

Të ngjajshme