2 Qershor, 2024 - 12:17 pm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar varrin e dijetarit të shquar Sami Frashërit, me rastin e 174 vjetorit të tij të lindjes, shkruan KultPlus.
Kryeministri Kurti tha se nuk mund të përshkruhet mjaftueshëm me aq epitete për ta bërë sa më të kuptueshme figurën e tij, porse mbi të gjitha ai konsiderohet thesar kombëtar dhe personalitet që ka kontribuar jashtëzakonisht në mendimin politik, shoqëror e filozofik shqiptar.
Ai më tej tha se Frashëri ishte një mërgimtar i arrirë, që s’e harroi kurrë vendin e tij, i cili duhet të jetë shembull për kombin, mërgatën dhe frymëzim për çdokënd.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në Facebook:
Ideolog i shquar dhe dijetar i ndritur. Atdhetar, rilindas e mendimtar përparimtar. Nuk mund të përshkruhet mjaftueshëm me fjalë e të ketë aq epitete për ta bërë sa më të kuptueshme figurën e tij. Sami Frashëri është thesar kombëtar dhe personalitet që ka kontribuar jashtëzakonisht në mendimin politik, shoqëror e filozofik shqiptar. Krijimtaria e tij është e lidhur ngushtë me idealet e lëvizjes kombëtare për çlirim, me nevojat e shkollës e të kulturës kombëtare, dhe nga idetë iluministe evropiane. Ai la një trashëgimi të pazëvendësueshme, e cila mbetet bashkëkohore ende sot. Mjafton të lexosh veprën e tij monumentale “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”, për të kuptuar largpamësinë socio-politike dhe mendimin e mprehtë me shprehjet e thukëta. Një gur që ngulit e skalit të vërtetën dhe të drejtën në mendjen tonë.
Dje, në ditëlindjen e Samiut, vizituam varrin e tij në Stamboll dhe vendosëm lule të freskëta, për ta kujtuar e nderuar atë. Para kësaj, në Ankara qëndruam në Qendrën Kulturore Shqiptare atje e cila përveçse mban emrin e tij, e nderon çdo ditë trashëgiminë e tij duke qenë vend që i bën bashkë shqiptarët e ku flitet e mësohet gjuha shqipe, ashtu siç na mësonte Samiu gjuhën përmes kombit, e kombin përmes gjuhës.
Ai la gjurmë, gjurmë të pashlyeshme, që ende sot, preken e përjetohen. Një mërgimtar i arrirë, që s’e harroi kurrë vendin e tij. Shembull për kombin, shembull për mërgatën dhe frymëzim për çdokënd.