3 Maj, 2023 - 12:45 pm
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar sot, në përvjetorin e 24-të, martirët e Masakrës së Bukoshit, përcjell KultPlus.
Në po këtë datë, të vitit 1999, oborri i shkollës në Bukosh u mbulua me gjak, pasi 25 burra dhe djem të rinj shqiptarë u pushkatuan nga forcat policore serbe.
Kryeministri është shprehur se kriminelët e luftës duhet nxjerrë para drejtësisë dhe Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës në Kosovë.
Postimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Më 3 maj 1999 oborri i shkollës në Bukosh u mbulua me gjak. 25 burra dhe djem të rinj shqiptarë u pushkatuan. Forcat policore të Serbisë i vranë ata, vetëm pse ishin shqiptarë.
I ekzekutuan pasi i ndanë nga kolona e banorëve të fshatrave të Suharekës, që i kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre. Dëbimi, vrasja dhe zhdukja me forcë e shqiptarëve ishte pjesë e projektit gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”.
Kriminelët e luftës duhet nxjerrur para drejtësisë. Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe veprimet gjenocidale të kryera në Kosovë.
Republika e Kosovës nuk mund të falë e as të harrojë.
Në përvjetorin e 24-të, përkujtojmë martirët e Masakrës së Bukoshit. Lavdi! / KultPlus.com