Kryeministri Rama anulon mbledhjen me Qeverinë e Kosovës në Gjakovë

13 Qershor, 2023 - 8:22 pm

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat pasditen e sotme ka njoftuar anulimin e mbledhjes ndërqeveritare me Kosovën, që ishte planifikuar për t’u zhvilluar ditën e nesërme në Gjakovë.

Kreu i qeverisë tha se i ka kërkuar Kurtit një takim më formal dhe i ka dhënë kohë mjaftueshëm për t’u menduar, por kryeministri i Kosovës, sipas tij e ka refuzuar. Gjithashtu Rama paralajmëroi vendosjen në fuqi të sanksioneve për Prishtinën zyrtare nga ana e bashkësisë Euroatlantike, në rast se nuk ka përpjekje për të zbutur tensionet në Veri me ndryshim kursi.

Fjalimi i Ramës

Është një komunikim i jashtëzakonshëm i cili lidhet me takimin e nesërm të dy qeverive në Gjakovë. Në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë Euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Pasi kam folur pasdite me shefin e  diplomacisë evropiane Josep Borell i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë, me një format më të ngushtë, përkatësisht me Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes.

Në një pikë të paimagjinueshme, kur kjo e fundit ka vënë gishtin faktikisht në butonin që do të vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që ka krijuar vetë., Për fat të keq dhe me shumë keqardhje duhet të them se nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurtin për një ndryshim të formatit. Ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe më pas të diskutojmë edhe për këtë, por kjo nuk është e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh me realitetin e Kosovës sot.

Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit. Shpresoj shumë të takohemi për të ballafaquar opinionet kur jemi në prag të vënies në zbatim të planeve për masa shtrënguese të një shteti të krijuar nga ata që qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit.

Kam bërë një përpjekje për t’ju kërkuar edhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë se plani që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do vihet në lëvizje/ KultPlus.com

Të ngjajshme