27 Maj, 2024 - 11:00 pm
Mijëra shqiptarë të Italisë të mbledhur në Milano, ishin mikpritësit e radhës në turin e Kryeministrit Edi Rama në shtetet e Europës, ku jetojnë e punojnë prej dekadash tashmë shqiptarët.
Rama ka publikuar në rrjetet sociale momente nga takimi i një dite më parë me bashkatdhetarët tanë në Itali.
“Videokartolinë nga dallga kuqezi e shqiptarëve të Italisë, shembëlltyrë e kohës së re që ka ardhur për Shqipërinë e për shqiptarinë”, shprehet Rama krahas videos së publikuar.
Në fjalën e tij, Rama theksoi dje se “ju shqiptarët e Italisë jeni shembëlltyra më rrezatuese e pararojave shqiptare të ribashkimit me Europën, jeni krenaria shqiptare, e mishëruar në një sukses frymëzues të misionit tonë kombëtar të bashkimit përfundimtar me Europën demokratike”.
Gjithashtu, Kryeministri solli në vëmendje kohët e vështira të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, kohën e komunizmit dhe anijet e tejmbushura me shqiptarë që dyndeshin brigjeve të Italisë për të shpëtuar nga regjimi i diktaturës.
Rama ka nënvizuar se “për shumë vite, ishit ju shqiptarët e Italisë e të gjithë Europës që e mbajtët Shqipërinë në këmbë me dërgesat për familjet tuaja. Sot është radha e Shqipërisë që t’ju bëjë juve krenarë kur flisni për atdheun tuaj apo kur italianët dhe europianët e tjerë flasin për Shqipërinë dhe për dinjitetin e saj të fituar, përfundimisht evropian”.
Kryeministri është ndalur edhe te marrëveshja për pensionet me shtetin italian duke shtuar se kanë vendosur një gur të çmuar dhe të munguar në kurorën e drejtësisë që ata kanë merituar.
“421 mijë prej jush do të përfitojnë nga marrëveshja e sapolidhur e pensioneve me Italinë, ku falë angazhimit personal të kryeministres suaj në Italinjë mike e paepur të Shqipërisë dhe një zëdhënëse shumë e fortë e jona në Bashkimin Europian, Giorgia Meloni, ne ia dolëm ta vendosim më në fund, pas një përpjekjeje të gjatë po të palodhur dhjetëvjeçare, një gur të çmuar e të munguar, në atë kurorën e drejtësisë që ju e keni merituar plotësisht me dashurinë, me stërmundimet e me kontributet tuaja për këtë atdhe të dytë tuajin, ku ju e heshtët përgjithmonë atë zilen e paragjykimit të tmerrshëm “e stato un albanese”, që ju shoqëroi në të përpjetën e mundimshme të sakrificave drejt triumfit tuaj, si europianët e rinj të Italisë”, ka deklaruar Kryeministri Rama./atsh/ KultPlus.com