Kryeministri Rama në New York: Në Shqipëri ka djem që quhen BillClinton (VIDEO)

7 Dhjetor, 2021 - 3:20 pm

Kryeministri Edi Rama është nderuar me çmimin “Vital Voices Global” pas vendimit për të strehuar afganët në Shqipëri. Hillary Clinton e vlerësoi ndër të tjera kryeministrin Rama edhe për përfshirjen e grave në qeveri.

Ceremonia u zhvillua në New York. Kryeministri kishte shkuar së bashku me familjen dhe shoqërohej në takim nga bashkëshortja Linda dhe djali i vogël Zaho.

Në fjalën e tij, Rama u tha amerikanëve se në Shqipëri është nder i madh nëse quhesh Klinton dhe madje tregoi se ka djem që quhen BillKlinton. Pas kësaj deklarate të kryeministrit të vendit, salla ka shpërthyer në të qeshura. 

“Kur të gjitha gratë në listë ishin shpëtuar e vendosur në Shqipëri, më telefonoi dhe sigurisht ishte nder shumë i madh sepse duhet ta dini që nëse quhesh Klinton në Shqipëri apo mes shqiptarëve, kjo është diçka shumë speciale që lidhet me çlirimin e gjysmës së kombit tonë, Kosovës. E meqë ra fjala, është i vetmi vend mbi këtë tokë, ku sot ka njerëz, djem, që e kanë emrin Klinton – emrin, jo mbiemrin. Madje ka edhe djem që quhen Billklinton. Kështu e kanë thjesht emrin, si të themi, Billklinton Rama dhe të gjithë këta djem që sot janë rritur, ishin bebe të sapolindura në kohën kur falë Presidentit Klinton, Zonjës së Parë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara asokohe, ai popull u çlirua nga një regjim, i cili u përpoq ta spastronte etnikisht që të gjithin”, u shpreh Rama./ KultPlus.com

Të ngjajshme